Dinamo pësoi të tretën humbje për këtë sezon, por për Nevil Deden kjo ishte më e shëmtuara. Trajneri është shprehur se skuadra nuk luftoi dhe ishte pasive në fushë, ndërsa përgjegjësinë kryesore kërkon ta marrë ai.
“Ishte ndeshja më e shëmtuar që kam parë në jetën time nga ana jonë. Edhe me Flamurtarin nuk kemi treguar kaq shumë pasivitet në lojë sa sot (dje). Përgjegjësinë kryesore për këtë humbje dua ta marr unë, por jam i bindur që ekipi nuk do të jetë dakord. Burreli u tregua cinik dhe shfrytëzoi apatinë tonë. Nuk kemi goditur asnjëherë në portë”, thekson fillimisht numri një i pankinës së bluve, në deklaratën e dhënë enkas për “Panorama Sport”.
Më tej ai kalon edhe në detaje të tjera: “E filluam ndeshjen me skemën 3-5-2, në pjesën e dytë u kthyem me 4-4-2, sepse kundërshtari nuk po na krijonte asnjë shqetësim. Ne nuk ndërtuam dhe nuk luftuam në fushë. Ndoshta me mendje ishim diku tjetër dhe harruam se duhet luajtur dhe duhet luftuar në një ndeshje për ta fituar.
Jam pa fjalë nga kjo paraqitje. Por të mos harrojmë se ne jemi në vend të parë dhe meritën e kanë lojtarët, të cilët duhet të vazhdojnë të besojnë dhe të kuptojnë që vetëm me durim dhe këmbëngulje do ta kalojnë këtë ditë ‘jo’ për ne. Do të vazhdojmë të punojmë dhe të ndihemi krenarë për këta lojtarë që stërvitim çdo ditë”.