Me humbjen e ditës së sotme ndaj Partizanit, tani Vllaznia duhet ta sigurojë mbijetesën nëpërmjet “play-out”. Shumë i zhgënjyer është shfaqur trajneri Dedja pas ndeshjes, duke u shprehur se në fushë ka parë gabime foshnjarake, të cilat nuk mund t’i pranojë dot.
“Na vjen shumë keq, që pas 3 ndeshjeve të fundit shumë të mira, erdhi kjo lojë e sotme, ku pavarësisht se në fillim ishim mirë, pas golave gjendja psikologjike nuk ishte e mirë. Kam parë lojtarë që kanë mundësi dhe dëshirë të bëjnë më shumë. Ana psikologjike nuk është aspak e mirë te ky ekip.
Në fillim bëmë një ndeshje shumë të mirë, ashtu siç e kisha menduar. Mund ta kisha menduar edhe humbjen me Partizanin, por jo në këtë mënyrë, me gabime foshnjarake. Në dhomat e zhveshjes ishin të gjithë me kokën poshtë, ku patëm edhe një debat, ku u përpoqa t’i qetësoja. Skuadra do të punojë dhe të mësojë. Jam i bindur që do ia dalim me sukses dhe do ia dalim të qëndrojmë në Superiore.
Në këtë ndeshje prisja, ndoshta edhe fitoren, por nuk mund ta prisja këtë lojë, pas rritjes që kishim treguar në ndeshjet e fundit. Kur pësuam golin e parë, unë e pashë që lojtarët po i kërkonin llogari njëri-tjetrit, ndonëse unë u përpoqa t’i qetësoja.
Edhe me Jonuz kështu ka ndodhur, pas momenteve të mira, ekipi humbte, madje edhe brenda në shtëpi. Në po kalonin momentin më të mirë pas pandemisë, por nuk e shpjegoj kot atë që ndodhi.”, u shpreh Dedja për “Supersport”.