Vllaznia nesër pasdite do të luajë ndeshjen e rradhës me Partizanin, pikërisht në orën 17.45 në stadiumin “Air Albania” dhe situata në rradhët e saj duket shumë e mirë. Fitorja ndaj Kukësit javën e kaluar ka rritur besimin se të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe në sfidën e rradhës. Një gjë e tillë është bërë e qartë edhe në fjalët e trajnerit Hysen Dedja dhënë për mediat një ditë para këtij takimi. Ndiqni më poshtë intervistën e tij:

– Dedja, jeni më i qetë pas fitores ndaj Kukësit?

Fitorja ndaj Kukësit na ka rritur më shumë në anën psikologjike. Kjo fitore ka rritur më shumë besimin tek vetë futbollistët. Ato po stërviten shumë mirë dhe arritja e rezultateve, rrit shumë edhe moralin e ekipit tonë. Ishte një trepikësh i arritur në kohën dhe në momentin e duhur. Ishte një fitore e arritur jo vetëm me rezultat por edhe me lojë.

-Çfarë pretendoni tek ndeshja e rradhës, ajo ndaj Partizanit?

Që pas takkimit me Kukësin kam folur me ekipin për takimin e rradhës ndaj Partizanit, një takim shumë I rëndësishëm për ne. Unë kam po të njëjtin besim që kisha para takimit me Kukësin. Skuadra më përgjigjet në të gjithë aspektet. Këtë dëshirë dhe atë lojë që paraqitëm ndaj Kukësit, do ta paraqesim edhe ndaj Partizanit.

-Po flitet shumë për Tiranën që duhet të respektojë kampionatin, por Vllaznia duhet që të bëj në rradhë të parë punën e vet apo jo?

Ne duhet që të mendojmë vetëm për 90 minutëshin tonë, atë ndaj Partizanit, pastaj gara do të kërkohet që të respektohet edhe nga ekipet e tjera. Jemi të fokusuar maksimalisht tek sfida jonë e rradhës dhe do shkojmë për të marrë maksimumin ndaj Partizanit.

-Rikthehet Gurishta, duket se tani keni më shumë alternativa në dispozicion?

Po është e vërtetë. Për një trajner është shumë gjë positive kur ke grupin e gatshëm dhe kur shumë mundësi dhe alternative. Gurishta ishte një mungesë e rëndësishme në takimin me Kukësin dhe tashmë është një rikthim me vlerë. Por mungon Malota që është një pikë shumë e fortë e ekipit tonë, po ashtu do të na mungojë edhe Hygor që nuk është paraqitur e po ashtu edhe Ramadani e Bardulla që vijojnë të kenë probleme. Pra rikthimi i rëndësishëm për ne është vetëm ai I Gurishtës.

-Optimist për të arritur një fitore nesër?

Unë jam shumë optimist për ta arritur një gjë të tillë. Kam besim se do të arrijmë që të nxjerrim një 90 minutësh shumë të mirë dhe të shikojmë një Vllazni kërkuese në fushën e lojës.

-Por nuk do ta keni të lehtë pasi edhe Partizani ende se ka siguruar objektivin e tij për Kupat e Europës, por madje edhe mund të rezikojë…

Unë e kam ndjekur skuadrën e Partizanit. Mund të them se ka një skuadër shumë të mirë, pavarësisht vendit në të cilin ndodhet ajo aktualisht. Ne do ta vlerësojmë në maksimum këtë skuadër. Por unë do të ritheksoj se motivet tona jam më të mëdha se të çdo skuadre tjetër. Mund të them se motivi ynë është edhe më I madh sesa edhe i Tiranës që u shpall kampion.


-Keni besim se Vllaznia nuk do të shkoj në “play-out, pavarësisht se jo gjithçka tani është në duart tuaja?

Kam besimin e plotë se nuk do të jemi në “play-out. Ekipi më ka dhënë besim për këtë gjë.