Hysen Dedja është kritik për mënyrën se si Vllaznia i përgatiti dy ndeshjet ndaj Universitatea Kraiovës. Ishtrajneri kampion i shkodranëve në sezonin 1997- 1998, në një intervistë për “Panorama Sport”, teksa analizon aventurën e kuqebluve në Ligën e Konferencës, thekson se ka mbetur i habitur nga fakti që drejtuesit ishin jashtë realitetit për mundësitë që ekipi kishte ndaj rumunëve.

Dedja mendon se Vllaznia nuk bëri asgjë për të kaluar turin, ndërsa nga ana tjetër, është i bindur se ky ekip do të jetë në luftë për titull deri në fund, por sërish “Seri” jep këshilla se si mund të shkohet te suksesi.

Profesor, Vllaznia e nisi nga turi i dytë i Ligës së Konferencës dhe u eliminua nga Universitatea Kraiova. Si ju duk ekipi në këto dy ndeshje?

Skuadra nuk më la një shije të mirë në ballafaqimet me rumunët. Nuk bëri asgjë në pjesën sulmuese për të besuar te kualifikimi. Të jem i sinqertë, m’u duk sikur nuk patën përgatitjen e duhur para një kundërshtari që kishte tjetër mobilizim. Kraiova të jepte përshtypjen se kishte përgatitje të gjithanshme në krahasim me Vllazninë. Pra, dihet që janë më lart se ne, si në financa dhe në përgatitje.

Kur shorti rezervoi skuadrën rumune, ju besonit se mund të kualifikoheshin?

Që në ndeshjen e parë në Shkodër, kur pashë dy skuadrat, të jem i sinqertë që nuk kam pasur besim se Vllaznia mund të kualifikohej. Ne s’bëmë asgjë për t’u kualifikuar. Nuk i kuptova drejtuesit që bënin gjithë atë reklamë duke thënë se do të kualifikoheshin. Nuk kishte kohë për reklama, por për të shkuar te realiteti.


Në syrin tuaj, çfarë nuk shkoi nga ana teknike në këto dy takime dhe cila është pika ku Vllaznia duhet të ndryshojë?

E thashë, kishte shumë gjëra që nuk shkuan siç duhet. Duhet të punojnë fort në mënyrë që të arrijnë aty ku të gjithë presin. Nëse flasim për afrime të tjera, stafi teknik e di më mirë një gjë të tillë. Pra, ku duhet të përforcohen më shumë. Gjithsesi, unë mendoj se lojtarët që kanë ardhur nga merkatoja, do të arrijnë të bëjnë më të mirën.

Keni besim te një kampionat më i mirë se i shkuari për kuqeblutë?

Besoj se do të shikojmë një skuadër konkurruese. Në pamje të parë, përbërja e ekipit duket shumë e mirë. Mirëpo, tani mbetet për t’u parë se çfarë do të japin në fushën e lojës.

A ka potencial Vllaznia të rikthejë titullin pas 21 vitesh mungesë?

Potenciali ekziston, por duhet që të japin maksimumin. Titulli vërtet do të jetë objektiv, por kjo varet nga lojtarët se si do të sillen në fushë. Nëse ata sillen si punëtorë dhe japin maksimumin në çdo ndeshje, atëherë titulli është i arritshëm. Nëse do të sillen si mjeshtra, atëherë sërish nuk do të kemi titull në Shkodër.