Trofeu “Korça” që organizohet nga Bashkia e këtij qyteti në bashkëpunim me Sportklub Skënderbeu dhe Federatën Shqiptare të Çiklizmit ka startuar që pasditen e djeshme.
Konkretisht me etapën e parë të saj, atë me itinerar Pogradec- Korçë e cila vërtetë u fitua nga një çiklist i Skënderbeut por protagonistët e vërtetë kanë qenë ata të Vllaznisë.
Konkretisht Bruno Kola dhe Astrit Kronaj të cilët janë renditur në vendin e dytë dhe të tretë.
Sakaq, sot është zhvilluar etapa e dytë, ajo me itinerar Korçë- Zvezd- Korçë.
Interesant është fakti se pas 15 kilometrash nga starti, çiklisti i Vllaznisë Defrim Dholla është shkëputur nga grupi i madh i sportistësh.
Fillimisht u mendua se do të ishte një shkëputje e rastësishme por nuk ka rezultuar kështu.
16 vjeçari ka bërë një pedalim perfekt duke ecur i vetëm për rreth 50 km dhe ka mbërritur i pari në finishin e Korçës duke u shpallur fitues i kësaj etape.
Ndërkohë në vend të dytë është renditur Amarildo Gogaj i Apolonisë dhe në të tretin një çiklist i Skënderbeut.
Duhet thënë se në mbërritje sot ka patur pak probleme me orientimin dhe çiklistët e tjerë të Vllaznisë kanë devijuar rrugë duke mbërritur paksa me vonesë në finish.
Nesër është etapa e tretë dhe e fundit e këtij trofeu, një etapë me karakter malor megjithatë çiklistët shkodranë janë të përgatitur për ta fituar edhe atë.
www.shkodrasport.com
Ne foto, çiklisti i Vllaznise Defrim Dholla qe eshte shpallur fitues sot i etapes se dyte te trofeut “Korça”