Gazetari i njohur i sportit, Dëfrim Methasani, ishte i ftuari i radhës në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, ku foli për situatën e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit. Methasani u shpreh se Kombëtarja dëshiron të vazhdojë me rekordet. Në fund, ai tregoi edhe një histori të veçantë të yllit të Shqipërisë, Armando Broja, kur ishte vetëm 4 vjeç.

“Me Hungarinë është një fitore historike, kur e mendon që nuk kishim fituar asnjëherë jashtë ndaj tyre. Më vjen mirë që Shqipëria di të fitojë edhe jashtë. Broja arrin të bëjë diferencën, duke na thënë 3 pikët, që ndoshta janë më shumë se 3 pikë. Kjo Kombëtare do të bëjë rekorde, të marrë sa më shumë pikë. Nëse diskutojmë për eufori, nuk duhet të diskutojmë për gjë tjetër.

Shqipëria ka bërë mirë, por ka gabuar në momentet përcaktuese. Duhet më shumë se kurrë kujdes. Në Poloni luajtëm mirë, por gabuam.

Dua të tregoj një histori interesante. Sot kam biseduar me xhaxhain e Brojës dhe më ka treguar një histori interesante për sulmuesin. Që kur ishte 4 vjeç, u aktivizua me grupmoshat e Chelsea. Ishte i vetmi lojtar që në atë moshë që e kishte emrin Broja te këpucët.

Që në atë kohë, dukej që do ecte shumë. Gjithë jetën është rritur me ndjenjën e Shqipërisë dhe atdhedashurisë. Dy vjet më parë ka qenë në Shqipëri, ku ka marrë pasaportën. Fakti që ka shënuar 6 gola, e bën atë një lojtar që bën diferencën.

Kjo me Poloninë është e vetmja ndeshje që nuk kam gjetur një biletë për miqtë. Shpresoj që kjo dashamirësi e tifozëve të përkthehet në fitore. Skuadra jonë me Rejën, kishte një problem, nuk kemi pasur një formacion stabël. Nuk kemi një lider dhe një organizator. Megjithatë skuadra ka grupin. Luajmë më mirë jashtë se brenda.

Nëse e ruajmë këtë performancë, unë them se është një ekip pretendent për Botërorin. Sot diferencat janë zvogëluar në futbollin europian. Nëse Shqipëria vazhdon kështu, mund të arrijmë shumë lart.

Kjo është Kombëtarja me më shumë lojtarë në ligat e mëdha. E rëndësishme është të kemi kualitete si ekip dhe jo individualitete. Një fitore e ngushtë do ishte shumë e mirë për Shqipërinë.”, u shpreh Methasani.