Nga Maringlen ZHIVANI

Në kuadër të nismës për privatizimin e KF Tërbuni dhe njohjen me fazat e mëtejshme të ankandit për kalimin në shoqëri aksionere, konform legjislacionit dhe procedurave përkatëse, u zhvillua sot dëgjesa publike, me pjesëmarrjen e qytetarëve, grupeve të interesit, këshilltarë të Këshillit Bashkiak, ish-futbollistë dhe trajnerë të grupmoshave, sportdashës dhe dashamirës të sportit pukjan.

Kryebashkiaku Dodaj, teksa falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen që i japin kësaj tematike, u ndal në arsyetimin e këtij procesi, duke nënvizuar domomosdoshmërinë, e cila i shërben jo vetëm perspektivës futbollistike, por dhe ndërtimit të një infrastrukture më cilësore.

Më tej z. Dodaj shtoi se përtej problematikave që krijohen nga menaxhimi i klubeve nga Bashkitë, deri tani ekipi ynë është ndër klubet më të mira sa i takon aspektit menaxherial, pasi deri tani futbollistët dhe stafi nuk kanë probleme financiare, kryesisht me pagat dhe sigurimet, problematikë kjo e hasur vite më parë, madje dhe me detyrime financiare të mbartura nga praktikat korruptive dhe abuzimet me skemat kontraktuale të futbollistëve.

Të pranishmit u njohën me aspeket proceduriale, ku u nënvizua se shitja e aksioneve është detyrim ligjor që rrjedh nga ligji për Sportin. Më pas do jetë këshilli i bashkisë i cili do marrë vendimin përkatës për ecurinë e mëtejshme.

Kryetari i Këshillit të Bashkisë, z. Gjon Gjoka, e vlerësoi nismën, pasi një hap i tillë, krahas të tjerave ndikon dhe në buxhetin ekonomik të institucionit, sepse bashkia nuk e ka mundësinë financiare për të menaxhuar ekip futbolli.

Diskutantët e ndryshëm e mbështetën nismën, madje e konsideruan të vonuar, gjë e cila ka pamundësuar krijimin e ekipeve zinxhir dhe nxitjen e talenteve të vegjël si garancinë e vijimësisë së traditës dhe historisë që ka ky klub.

Administratori aktual i KF Tërbuni, z. Alfred Pjetri, ndër të tjera pohoi se një nismë e tillë është mjaft pozitive dhe duhet mbështetur, pasi kjo është një përvojë ndërkombëtare dhe vetëm përmes privatizimit të tyre klubet e futbollit marrin vlerat e konkurencës dhe i shërbejnë objektivave afagjatë.(www.shkodrasport.com)