Dinamo është rikthyer mes skuadrave pretendente, teksa aktualisht është në kren e klasifikimit. Optimizmi është i madh te dinamovitët, me tifozët që këtë sezon presin trofe. Në një bisedë me Trevisa Tufën, në një intervistë eskluzive për Sport News në News 24, sulmuesi i Dinamos, Dejvi Bregu analizoi sezonin, ndërsa u ndal edhe te aspekti personal. Bregu u shpreh se se skuadra ka mundësinë për të fituar titullin, sakaq theksoi faktin se trajneri Daja është “çelësi” i suksesit.
Bregu, nuk besoj se je bërë pishman që u rikthyer në Superligë, sikur ta bëri më të lehtë Dinamo këtë rikthim, pse pikërisht Dinamon, çfarë të bindi?
Kisha oferta nga jashtë. Mund të them se ky vendim erdhi për shkak se marrëdhënia ime me Presidentin Bardhi ka qenë e mirë që prej kohës që ka qenë bashkë-president në Durrës te Teuta. Gjatë gjithë këtyre viteve që kam qenë unë jashtë, ai është interesuar për mua me thën të drejtën dhe erdhi ky bashkëpunim.
U larguat si kampion me Teutën riktheheni sërish në nivele të larta, a është titulli një objektiv i Dinamos, pse nuk e thoni me zë të lartë? Keni frikë?
Nuk është çështje frike, por edhe rivalët duhen respektuar. Të gjithë e dijnë që kampione në fuqi është Egnatia. Të gjitha ekipet duan të zbresin Egnatian nga froni. Ne do shikojmë ndeshje pas ndeshje. I kemi të gjitha mundësitë. Shpresojmë që t’ia dalim në fund.
E prisnit të ishit në këto nivele Bregu, e prisnit ta mbyllit vitin si kampion dimri?
Personalisht e prisja, gjithë grupi e priste, gjithë stafi e priste. Kemi ekip cilësor, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë dhe talente. Nuk na mungon asgjë, kualitet kemi, besoj se mund t’ia dalim.
Kujt i druheni më shumë, kë shihni si rival të Dinamos në garën për titull?
Nuk dua të ndaj dikë. Të gjitha ekipet janë të forta.Besoj do rivalizojnë me ne. Mendoj se është një katërshe mes nesh, Partizanit, Vllaznisë dhe Egnatias. As Elbasanin dhe as Teutën nuk i heq nga gara. Gara është e gjatë.
Flitet shumë për Ilir Dajën, për efektin Daja, si është të punosh me të, çfarë e bën ndryshe, ju keni punuar bashkë dhe te Skënderbeu, ishte ai një nga faktorët që pranuat ofertën e Dinamos?
Patjetër që është një arsye. Unë kam punuar që në kohën e Skënderbeut, kam ruajtur raporte korrekte me të. E di mënyrën e tij të punës. Për sukseset e tij nuk është nevoja të flitet. Mentaliteti i tij fitues e bën të veccantë.
Bregu, në aspektin personal çfarë pret nga kjo aventurë me Dinamo, cili është objektivi juaj personal?
Golat e mi ose asistët e mi shpresoj që të përkthehen në pikë. Nëse arrihet kjo gjë, synimi im mund të konsiderohet i realizuar.
A është Dinamo një trampolinë për të kaluar sërish jashtë Shqiperisë, apo keni një plan afatgjatë te Dinamo?
Kontratën e kam të gjatë. Dihet besimi i presidentit. Di të them se jam i fokusuar te Dinamo. Nëse vjen një ofertë, duhet të jetë diçka shumë e mirë, si për klubin, ashtu edhe për mua.