Surprizë te Kukësi, me emërimin e Ernest Gjokës si trajneri i skuadrës verilindore. Tekniku në fakt ishte larguar mes shumë polemikash nga verilindorët dhe presidenti Safet Gjici kishte folur shpesh kundër tij, duke e cilësuar si një trajner që nuk ishte i niveleve të larta ndonëse e kishte shpallur kampion klubin e tij në të vetmen herë në histori.

Jo më larg se javën e kaluar, Safet Gjici deklaroi se Gjoka nuk ishte një trajner i madh dhe përsëriti kritikat kundër tij duke mos kursyer ironinë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Gjici deklaroi se nga trajneri Kukësi kishte pësuar një dëm të madh ekonomik.

“Ernest Gjoka bëri mirë, fitoi titullin kampion, por në fund bëri si “puna e lopës”, pasi i ra me shkelm në momentin kur po hidhnim hapin e madh. Ishim pranë kalimit të një turi në Champions. Duhet ta bënte mirë punën për veten e vet, jo për mua.

I thashë që të mos ia linte penalltinë Pejiçit, pasi portieri i Sherifit ishte kroat dhe e njihte Peron. Trajnerët nuk mendojnë shumë, janë ‘kokëvegjël’. Unë nuk i thashë që në vend të Pejiç duhet ta gjuante filani. Atë duhet ta vendoste vetë, në bazë të formës së lojtarëve.

Emini kishte shënuar dy gola, mund ta godiste ai. Mund ta humbiste edhe ai, por penallti kanë humbur Mesi me Ronaldon. Kukësi humbi 1.3 milionë euro nga ajo penallti. Gjoka nuk është trajner i keq, por më pas mori Vllazninë dhe Kamzën, duke i ulur një kategori më poshtë.

Një trajner kampion shkon te 3-4 ekipet e para, nuk mund ta ulë vetën. Kjo ndodh për faktin që Gjoka nuk është trajner i madh, nuk e ‘bën vezën aq të madhe’”, janë fjalët e Gjicit për Gjokën në intervistën e 28 marsit. /vipsport/