Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka pohuar në mënyrë të çuditshme se Alvaro Morata është “në të njëjtin nivel” me makinën e golave të Manchester City, Erling Haaland.

Trajneri argjentinas e krahasoi sulmuesin e Atletico-s, Morata-n me nr.9 të Manchester City-t, Haaland, dhe pohoi se spanjolli është në të njëjtin nivel me norvegjezin për sa i përket statistikave.

Megjithatë, Haaland është përpara Moratas për sa i përket golave dhe asisteve në sezonin 2023-24 deri më tani. Ndërsa ylli i Cityt ka shënuar 17 gola dhe ka dhënë katër asiste në 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet, Morata ka 12 gola dhe tre asiste në 15 ndeshje. Duke folur në podkastin e Manu Carreno, El Larguero, Simeone tha:

“Alvaro Morata është në të njëjtin nivel me Erling Haaland. Për sa i përket golave dhe statistikave të tij, ai me siguri mund të krahasohet me të”.

Të dy sulmuesit do të jenë në aksion për kombëtaret e tyre përkatëse gjatë pushimit ndërkombëtar. Ndërsa Spanja do të përballet me Qipron më 16 nëntor, Norvegjia do të përballet me Ishujt Faroe në të njëjtën ditë në kualifikimet për Euro 2024./telesport/