Alessandro Del Piero siguron se askush nuk i ka kërkuar të jetë kandidat për rolin e Presidentit të FIGC, por nëse klubet duan të propozojnë atëherë ai do të dëgjojë.

Spekulimet u përhapën në ditët e fundit se fituesi i Kupës së Botës dhe ikona e Juventusit do të kandidonte për zgjedhjet e shkurtit 2025 si President i Federatës Italiane të Futbollit.

Presidenti aktual Gabriele Gravina po kandidon për rizgjedhje, por ka shumë figura që nuk janë të kënaqura me vazhdimin e mandatit të tij dhe po përpiqen të gjejnë një fytyrë të re për të dalë kundër tij.Ai punon si ekspert te Sky Sport Italia në mbulimin e Ligës së Kampionëve, ku Del Piero nuk mund të shmangte pyetjen për thashethemet.

“Unë nuk u ngrita në mëngjes dhe thashë se do të kandidoj. Duhet të të kërkohet që të dalësh dhe deri sot askush nga FIGC nuk më ka kërkuar të jem kandidat. Nuk mund të hysh pa ftesë”.

“Të gjithë dhamë shpirtin për Nazionale, unë fitova Kupën e Botës me Italinë, kështu që nuk dua të shkoj duke shkaktuar telashe. Nëse duan të më thërrasin të ulem në një tavolinë, do të ulemi dhe do të diskutojmë për dinamikën, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete”.

“Kjo nuk është hera e parë që më kërkohet të komentoj për të qenë kandidat si president i një ekipi, por as aty nuk kishte asgjë!”, deklaroi Del Piero.

Komenti i fundit i Del Piero-s ishte një shaka duke iu referuar faktit se ai u shfaq në media si një President ose nënkryetar i ri i mundshëm i Juventusit kur Andrea Agnelli u largua nga klubi. /Telegrafi/