Paulo Dybala fluturoi të hënën drejt Argjentinës, bashkë me Soulé dhe Paredes, për t’iu bashkuar kombëtares. Për të duket një frymë e freskët, pas javëve të fundit të komplikuara. Në këtë moment, numri 21 i verdhekuqve nuk është në qendër të projektit teknik të Romës.

Është legjitime që De Rossi të bëjë zgjedhjet që ai i konsideron më të përshtatshmet për skuadrën e tij. Madje është e tepërt ta shkruajmë ose ta kujtojmë këtë. Gjithsesi, është po aq legjitime që dy stolat në tri ndeshje, i fundit të dielën kundër Juventusit, mund të shkaktojnë diskutime, duke pasur parasysh se Dybala është lojtari më i talentuar i Romës. Pra, duket e komplikuar të bësh pa të.

Alex Del Piero, ish-kapiteni i Juventusit, foli për këtë. Më konkretisht iu përgjigj në “Sky” një pyetjeje specifike të Fabio Caressa: “A mund ta pranojë Dybala stolin? “Pinturikio” saktësoi: “Jo, ai nuk është 40 vjeç. Sidoqoftë, mund të qëndrojë në stol tani, në ndeshjet e para, sa të kapë ritmin.

Pastaj, sezoni është ende i gjatë”. Fjalë të qarta për një lojtar që sigurisht nuk është eurofik për momentin, por që ka cilësitë për të rifituar vendin e tij si titullar. Kur? Kur të kthehet nga kombëtarja dhe për të do të jetë vetëm Roma. Pikërisht për fanellën verdhekuqe refuzoi ofertën stratosferike financiare nga Arabia Saudite, kësaj vere./telesport/