Erzeni pret sot Vllazninë në stadiumin e Rrogozhinës, me ndeshjen që nis në orën 13:30. Shijakasit vijnë pas barazimit në transfertën e Laçit, ndërsa shkodranët pas katër fitoreve radhazi në kampionat.

Në dy fazat e para ndeshjet mes tyre nuk kanë prodhuar fitues, duke u mbyllur të dyja në barazim, 2-2 dhe 1-1. Sot shijakasit do të kërkojnë të marrin tri pikë dhe pas afrimeve të janarit, skuadra është e karikuar për të mposhtur Vllazninë.

Për “Panorama Sport” foli në prag të kësaj përballjeje trajneri i Erzenit, Alfred Deliallisi, i cili beson shumë te shpërthimi i sulmuesve kundër shkodranëve. Sipas tij, me mbështetjen e madhe të tifozëve shijakas, skuadra do ta ketë edhe më të lehtë rrugën drejt triumfit.

“Na pret një ndeshje e vështirë, duke parë edhe historikun e përballjeve tona. Me Vllazninë këtë kampionat jemi përballur dy herë dhe ndeshjet tona janë mbyllur në barazim, kështu që sot është momenti të arrijmë fitoren e parë për këtë vit.

Unë besoj shumë te lojtarët që stërvis”, ka thënë fillimisht Deliallisi, i cili bëri një koment edhe për merkaton e janarit, teksa Erzeni ka afruar deri më tani emra si Paul Seun Komolafe, Silvio Zogaj, Auron Ademi, Darrel Agbugui, Arlind Dakaj, Bruno Puja, Florijan Kadriu dhe Junes Bnou Marzok.

“Nga afrimet e janarit jam shumë i kënaqur. Lojtarët e ardhur rishtas po përshtaten shpejt, sepse kanë dëshirë të madhe për të punuar. Kjo e ka ndihmuar ekipin në shumë aspekte. Duhet të përmirësohemi në fazën ofensive dhe me afrimet e fundit, besoj se do të jemi më të fortë. Qendërsulmuesi maroken, Marzok, është me një CV të madhe. Megjithatë, do të futet gradualisht me grupin, sepse kam pak ditë që ka ardhur. Unë besoj se një sulmues i tillë mund të bëjë diferencën në kampionatin tonë”, deklaroi trajneri.

I pyetur për situatën në grup para sfidës me shkodranët, Deliallisi u shpreh: “Përsa i përket organikës, ajo është e plotë. Peposhi vazhdon me shqetësime të vogla, por do të vendos pak para sfidës për aktivizimin e tij”.

Në fund, trajneri bëri edhe një thirrje për tifozët.

“Dua që të vijojnë të na ndjekin, ashtu siç vetëm ata dinë ta bëjnë, pa kushte dhe pa marrë parasysh asgjë. Kemi tifozët më të mirë”.