Erzeni u mposht me përmbysje 3-2 nga Egnatia në sfidën e javës së 21-të të Superiores. Trajneri i shijakasve, Alfred Deliallisi u shpreh i zhgënjyer për rastet e shpërdoruara nga skuadra e tij për të mbyllur ndeshjen.

“Mund ta kishim vrarë ndeshjen. Gabojmë një pas në mesin e fushës, gabojmë një goditje. Pas dëmtimit të Hasanbellit me Partizanin, skuadra nuk ka më atë qetësinë. Të humbësh një ndeshje të atillë të vjen keq.

Këta janë lojtarë që kanë një kohë të gjatë pa luajtur. Gjithsesi cilësia është. Çdo lojtar ka kohën e vetë, nuk mund ta bëjmë as për 5 javë, as për 5 ditë. Nëse nuk shënon e ke të vështirë përballë një ekipi që është me meritë aty ku është. Por sot kishim rastet tona, edhe goli i parë ishte më se i evitueshëm.

Ky ekip është shumë i fortë. Por sot mendoj se meritonim shumë më shumë. Them se falëm gjithçka sot. U dukëm pak të brishtë. Duhet të sakrifikonim më shumë dhe të vuanim më shumë në pjesë të caktuara të ndeshjes.

Nga tani e tutje do vazhdojmë të marrim pikët, sepse kam besim absolut te skuadra. Besoj fort.

Hasanbelli? Mendoj se do të jetë nga java tjetër i gatshëm”, u shpreh Deliallisi për “MCN”