Duhej të ishin dy por në fakt ishin tre futbollistë në prezantimin zyrtar të klubit Vllaznia si blerjet e para të merkatos së verës. Sigurisht që ishte fakt i kryer firmosja e kontratës për malazezin Ivan Deliç dhe vlonjatin Halim Begaj por pak suprizë ka qenë firmosja dhe prezantimi i mesfushorit kosovar Ilir Nallbani ditën e sotme. Ai ka mbërritur në Shkodër vetëm paraditen e sotme, ka biseduar me drejtuesit e Vllaznisë dhe po ashtu edhe me trajnerin Shpëtim Duro dhe në fund është rënë dakord që ai të ishte pjesë e skuadrës për sezonin e ri.
Në orën 11.30, drejtori sportiv Armir Grima ka bërë prezantimin zyrtar të këtyre tre futbollistëve para gazetarëve. “Shpresojmë të kemi bërë zgjedhjet e duhura për skuadrën me këto tre blerje. Nëse për Deliç dhe Begajn jemi nisur nga vlerat që ato kanë shfaqur me Buduçnostin dhe Flamurtarin, për Nallbanin është një lojtar që e njohim mirë dhe mbi të gjitha është një dhuratë që presidenti Luka u bën tifozëve shkodranë meqë ata e kërkonin me insistim një futbollist të tillë”–ka thënë ai. I pyetur ndërkohë në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar së fundi për Klodian Duron dhe Arbër Abilaliajn, Grima e ka pranuar se po kontaktohet me këta futbollistë dhe prandaj ka shtuar: “Po, është e vërtetë se kanë dalë si mundësi dhe ne po bisedojmë megjithatë duhet parë edhe dëshira që kanë këta futbollistë për të ardhur tek Vllaznia. Ne duam të marrim lojtarë që e vlerësojnë këtë skuadër dhe këtë fanellë dhe besoj se do bëjmë më të mirën për të sjellë lojtarët e duhur”. Pas tij, kanë folur me rradhë Deliç, Nallbani dhe Begaj që kanë dhënë impresionet e tyre të para pas firmosjes së kontratave me Vllazninë. Në këtë mënyrë, Vllaznia i ka bërë realitet tre blerjet e para dhe tashmë mbesin për t’u realizuar edhe pesë të tjera për të plotësuar përfundimisht kërkesat e trajnerit.
Gjergj KOLA