Ditën e djeshme ata kanë mbërritur në Shkodër, kanë firmosur dhe menjëherë kanë dhënë deklaratat e para si futbollistë të Vllaznisë. Ivan Deliç, Halim Begaj dhe Ilir Nallbani, pavarësisht se vinin nga tre vende të ndryshme, kishin një të përbashkët në deklaratat e tyre: “Kemi ardhur për një Vllazni pretendente”. I pari që ka folur ka qenë malazezi Deliç. I pyetur se çfarë dinte për skuadrën e tij të re, ai ka thënë: “Kam jo pak njohuri për këtë skuadër sepse vitet e fundit për shembull me të kanë luajtur dy miq të mi, Rajoviç dhe Vujadinoviç që më kanë folur shumë mirë për të. Sigurisht që unë do mundohem të bëj më të mirën e mundshme.
Jam shumë i kënaqur që kam ardhur këtu. Kam bindjen që së bashku me mua dhe pjesën tjetër të skuadrës do të fitojmë titullin kampion ose do të kalojmë minimumi në Europë”-ka thënë ai fillimisht. Ndërkohë, kohët e fundit pasi është mësuar se Vllaznia është në kontakte me të, është marrë vesh se lojtari ka patur një dëmtim. I pyetur për këtë gjë se pse nuk ka luajtur në Hungari në sezonin e fundit, ai e ka pranuar dëmtimin që ka patur duke thënë: “Kam patur një dëmtim dhe pas dëmtimit është ndërruar trajneri dhe pasi u riktheva unë nuk kisha më vend aty prandaj kam prishur kontratën me ekipin hungarez duke qëndruar disa kohë pa luajtur. Tani unë jam shumë mirë fizikisht premtoj se do të bëj më të mirën për skuadrën”. Aktivizimin me Vllazninë, mesfushori 26 vjeçar e sheh edhe si trampolinë për kthimin në kombëtaren e vendit të tij prandaj Deliç në fund të prononcimit të tij do të thoshte: “Kam qenë pak kohë më parë pjesë e kombëtares malazeze dhe këto lëvizjet e fundit bënë të unë të largohesha prej saj. Por duke luajtur me Vllazninë besoj se do arrij objektivin tim për t’u rikthyer sërish në kombëtaren e Malit të Zi”. Pas malazezit, ka folur Nallbani. Ndoshta ngaqë të dy sëbashku ata do të formojnë dyshen e mesit të fushës. Lojtari që ka luajtur për 3 sezone e gjysëm më parë në “Loro Boriçi” ndjehet gjithnjë si në shtëpinë e tij prandaj shprehet kështu për këtë rikthim: “Të them të drejtën në momentin që u largova nga Vllaznia ishin disa gjëra që ndodhën shpejt dhe sigurisht që u mërzita. Tash jam rikthyer dhe jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e kësaj skuadres që e dua me zemër. Kam qejf të jap maksimumin tim sicc e kam dhënë gjithmonë dhe shpresoj që objektivat e klubit që të dalim kampion dhe të fitojmë Kupën e Shqipërisë të realizohen dhe unë përsonalisht premtoj të jap maksimumin e mundshëm. I falenderoj të gjithë dhe tifozat për përkrahjen e besoj se do të realizojmë objektivat”. I fundit ka qenë vlonjati Begaj. Ndoshta si “I shtëpisë” ngaqë respektoi kolegët e tij që vinin nga Mali I Zi dhe Kosova. Mbrojtësi I majtë ka folur me entuziasëm në prezantimin e tij por ka thënë vetëm pak fjalë. Të tjerat do t’I thotë në fushë. Të paktën kështu është shprehur ai kur ka thënë: “Jam shumë i kënaqur që jam bërë pjesë e këtij ekipi. është një privilegj i madh për mua dhe kam ardhur me kënaqësinë më të madhe këtu pasi dihet se Vllaznia është emblemë e futbollit shqiptar. Shpresoj që të bëj më të mirën. Preferoj më mirë të flas në fushë sesa me fjalë”. Ata tashmë janë pjesë e Vllaznisë. Kanë firmosur dhe do jenë në dispozicion të stafit drejtues. Premtimet e para I kanë dhënë dhe mbetet të shohim sa do t’I mbajnë kur të fillojnë ndeshjet zyrtare.
www.shkodrasport.com