Ivan Deliç sheh një të ardhme premtuese për Vllazninë. Mesfushori malazez, në një deklaratë të dhënë për mediat, analizon ecurinë e skuadrës së tij. Ai mendon se ngërçi kaloi dhe tashmë për kuqeblutë do të nisë një tjetër “erë”, ajo e ndryshimit. “Ekipi po ecën mirë në këto javët e fundit. Mendoj se i kemi kaluar ato probleme që hasëm në start dhe tani gjithçka është në rritje e sipër. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e fundit. Mirëpo, duhet të tregohemi të kujdesshëm që këtë javë dhe të marrim një tjetër fitore.
Jam optimist se ekipi në të cilin bëj pjesë edhe unë ka forca për të qenë një nga skuadrat konkurruese të këtij sezoni në të dy kompeticionet”, – tha fantazisti. Më tej, ai tregon se pengu i vetëm për të deri më tani është një episod nga ndeshja me Skënderbeun. “Nuk më hiqet lehtë nga mendja ai top i humbur në takimin me korçarët. Ai episod ndëshkoi ekipin tim. Për atë kam mbajtur edhe para shokëve të mi përgjegjësitë e mija. Megjithatë, mendoj se tani gjithçka ka kaluar dhe loja ime sa vjen edhe është në rritje”, – vijoi malazezi. Më tej ai sqaron se Vllazninë e sheh si një trampolinë për të rifituar një vend në Kombëtaren e Malit të Zi. “Vllazninë e shikoj si një trampolinë për t’u rikthyer në ekipin përfaqësues. Kuqeblutë kanë një emër të madh në futbollin shqiptar dhe performanca ime me këtë skuadër do të jetë një tregues për drejtuesit e Malit të Zi. Mua më duhet në radhë të parë të tregoj vlerat e mija më të mira në Shkodër, në mënyrë që të shpresoj në marrjen e një ftesë. E dua shumë një rikthim në Kombëtare”, – përfundoi Ivan Deliç.
Admir URUÇI