Ardit Deliu, një nga lojtarët më në formë të Vllaznisë, pas kualifikimit ndaj Elbasanit në Kupë ka folur për “Panorama Sport”, duke treguar emocionet e këtij dueli. Sipas tij, Vllaznia ka ambicie për të dy trofetë.

Deliu, një kualifikim mes emocionesh sonte (mbrëmë), apo jo?

Po, është e vërtetë, por nga mënyra se si e morëm golin në sekondën e fundit, ishte pak keqardhje. Sepse nuk donim që ndeshja të shkonte në shtesë, kemi shumë ndeshje radhazi dhe duhet të rikuperohemi sa më mirë. Por i rëndësishëm është kualifikimi në fund të gjithçkaje.

I merituar ky kualifikim?

Besoj se po, sepse luftuam nga fillimi në fund dhe donim ta mbyllnim më herët. Megjithatë, ky është futbolli dhe jo gjithmonë shkon sipas planeve. Duhet vlerësuar edhe kundërshtari, Elbasani, që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë.

U festua shumë në dhomat e zhveshjes…

Për mënyrën se si shkoi ndeshja, u festua shumë në fund realisht. Emocionet ishin më të mëdha, u akumuluan deri në çastet e fundit. Ishte një lodhje dhe konsum shumë i madh, në fund kënaqë sia ishte edhe më e madhe.

A është Deliu në 100% të formës së tij?

Që në momentin ku kam ardhur, tani po luaj në vazhdimësi. Kam minuta dhe ritëm në këmbë. Në fillim më penalizoi një dëmtim, tani besoj se jam në formën maksimale dhe do të jap kontributin tim. Uroj të mos kem dëmtime.

Brdariç tha se synohet “dopieta” këtë sezon. I qëndroni kësaj linje?

Kemi ardhur në këtë pikë, që nuk ka kthim pas, si për Kupë, edhe për kampionat. Duam të sigurojmë sa më shpejt “Final 4” dhe konkretisht 2 vendet e para. Pastaj luajmë deri në fund për të dy trofetë.

Laçi në fundjavë në kampionat, si e shihni këtë përballje?

Kam kaluar 4 vite të mrekullueshme në Laç, s’mund t’i hedh kurrë poshtë. Do jetë një ndeshje e vështirë edhe për vetë pozitat e kundërshtarit. Kemi objektivat tona dhe në Laç udhëtojmë me qëllimin e vetëm për fitore.