Boksieri shkodran për të tretin vit me rradhë do të jetë pjesë e ekipit “Mexico Guerreros” që militon në Ligën gjysmëprofesioniste ËSB që zhvillohet me ekipe nga vende të ndryshme të botës. Ai e ka firmosur kontratën me këtë ekip në ditët e para të janarit, madje mbrëmjen e së premtes ka zhvilluar dhe ndeshjen e tij të parë për këtë sezon, të cilën e ka humbur. Ai është ndeshur në ringun e Kievit me boksierin vendas Denys Poyatsyka dhe është mundur prej tij me rezultatin e pastër 3-0.
Në të pesë raundet është fiksuar për koinçidensë i njëjti rezultat nga të tre gjyqtarët e tavolinave, 10-9 dhe në këtë mënyrë, në fund të takimit, secili prej tyre kishte fiksuar rezultatet 50-45 në favor të Poyatsyka që është shpallur fitues i tij. Paraqitja e Demës ka qenë përgjithësisht e mirë megjithatë ndoshta ai nuk ka qenë në kulmin e formës së vet. Kjo ngaqë periudha e ndërrimit të viteve, ka qenë pa aktivitete dhe boksieri i Vllaznisë e kishte ulur pak ritmin e stërvitjes edhe ngaqë nuk e kishte të fiksuar ende nëse do firmoste me ekipin meksikan apo jo. Pavarësisht kësaj, ndeshja e zhvilluar prej tij ka qenë e një niveli të pëlqyeshëm pavarësisht se ai ka ende për të dhënë. Interesant është fakti se këtë sezon, pjesë e ekipit “Mexico Guerreros” është edhe një tjetër boksier shkodran, pikërisht Nelson Hysa. Edhe ai ka firmosur një kontratë me drejtuesit e tij dhe do të konkurrojë në peshën super të rëndë. Ky është një sukses shumë i madh i boksit shkodran dhe atij shqiptar sepse niveli i kësaj Lige është shumë i lartë dhe këta sportistë kanë mundësinë të tregojnë vlerat e veta dhe të boksit tonë përballë boksierëve më të mirë të botës.
Gjergj KOLA