Ka nisur sot në Baku të Azerbajxhanit Kampionati Botëror i boksit amator ku merr pjesë edhe një ekip nga Shqipëria i përbërë nga tre boksierë dhe i drejtuar nga trajneri Zef Gjoni. Që në ditën e parë, ajo që ka rënë në sy ka qenë fitorja e boksierit shkodran Kristian Demaj.
Ai e ka nisur mbarë Botërorin duke mundur në sfidën e tij të parë një boksier nga Australia. Ndeshja ka patur shumë rivalitet brenda dhe në fund është fituar me pikë nga boksieri shqiptar 12-10. Kjo fitore i ka dhënë edhe më shumë zemër dy boksierëve të tjerë, Bilalit dhe Vrenozit që do konkurojnë në ditët e ardhshme. Fitorja e Demës është një sinjal i mirë për një paraqitje dinjitoze të boksierëve tanë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm ku marrin pjesë 700 boksierë nga e gjithë bota. Objektivi është për të zënë një vend në 8-she për të siguruar kështu automatikisht një biletë për në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm që zhvillohen në Londër.