Me fitoren e fundit në kampionatin e mbyllur dy ditë më parë në Shkodër, Kristian Demaj e ka çuar në 6 numrin e titujve kampionë me të rriturit. Po t’i shtosh edhe 3 titujt që ka të fituar me moshat, numri i tyre shkon në 9. Jo keq për një 24 vjeçar i cili duket se ka përpara një karrierë të gjatë por edhe më të suksesshme. Duke folur në lidhje me titullin e fundit kampion, ai është shprehur kështu për shkodrasport.com kur ka thënë:
“Isha përgatitur për t’ia dalë me sukses edhe këtë herë dhe fitoren e titullit nuk e vura asnjëherë në dyshim. Më vjen keq për kundërshtarin tim të finales, Aleksander Ramon, i cili nuk e pranoi humbjen dhe u largua nga ringu pa marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së medaljes. Nuk ishte një veprim i logjikshëm ndërkohë që trajnerët e tij e pranuan humbjen.Ai është një boksier i mirë por ndaj meje humbi dhe besoj se do të humbasë edhe për shumë kohë të tjera nëse ndeshet sërish në peshën time. Ky ishte titulli im i gjashtë me të rriturit dhe të them të drejtën, tani e tutje nuk do ta kem shumë mendjen dhe objektivin tek trofetë këtu në Shqipëri. Synimet e mia janë për të marrë medalje në arenën ndërkombëtare por natyrisht që kjo nuk është e lehtë gjithsesi nuk do heqë dorë. Jam i vetmi boksier shqiptar që ka fituar ndonjëherë trofeun e “Gongut të Artë” që zhvillohet çdo vit në Maqedoni me pjesmarrjen e boksierëve nga shumë vende të Europës dhe kjo nuk është pak megjithatë unë kam synime për më shumë”. Në fakt, futja në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian apo kualifikimi për në Olimpiadës është ëndërra e madhe e Demajt. Presidenti i Federatës e ka dhënë premtimin e tij se kush do të sigurojë pjesmarrjen në Olimpiadë, do të marrë shpërblim një apartament në plazhin e Durrësit. I pyetur në lidhje me këtë, boksieri shkodran do të thoshte: “Çelësat e atij apartamenti vërtetë mund të jenë gati për t’ia dhënë sportistit që do të kualifikohet për në Olimpiadë por më parë se drejtuesit të premtojnë gjëra të tilla, duhet ndërtuar një strategji se si do të shkojmë deri tek ky objektiv. Ne sot në vitin 2015 ende themi mungon baza materiale, kushtet e palestrave ku stërvitemi janë skandaloze etj, në një kohë që kundërshtarëve tanë në vende të ndryshme të botës këto gjëra u duken absurde. Pikërisht për këtë duhet të mendojmë të gjithë si të jemi të barabartë me boksierët e tjerë e pastaj të kërkojmë llogari pse nuk kualifikohemi për në turne të tillë kaq të rëndësishëm siç janë Olimpiadat. Ju siguroj që vullnetin e sportistëve shqiptarë nuk e ka askush tjetër në botë e kjo duhet shfrytëzuar”.
Gjergj KOLA