Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, foli për mediat, pas shortit të “Final Four”, që vendosi kryeqytetasit përballë Skënderbeut.

Demi deklaroi se nuk kishte preferenca, ndërsa shtoi se ashtu si Tirana, edhe Skënderbeu është ekip me traditë, ndërsa shtoi se dëshiron të ndjekin shembullin e korçarëve për në Europë.

“Nuk kisha fare preferenca në short. Do doja që vendi i parë të përballej me të dytin dhe i treti me të katërtin. E kam thënë që në fillim, kjo formula e zhvlerëson kampionatin. Vjet unë nuk isha dakord, por shumica vendosi.

Si Partizan na eci këtë vit. Për ne është një favor më shumë drejt titullit. Tirana mungon gjithmonë, por edhe të tjerët janë me traditë. Skënderbeu është një nga skuadrat që ka ecur më shumë në Europë dhe në duam të ndjekim shembullin e Skënderbeut.

Këtë vit do jetë “Air Albania” i Partizanit, nëse nuk del Tirana. Do jemi të qetë, sigurisht që do ketë tifozë”- është shprehur presidenti i Partizanit Demi.