Shkarkimi i Erik ten Hagut do t’i kushtonte Mançester Junjtidit shifrën rekord të 15 milionë paundëve. Pozicioni i trajnerit holandez është në dyshim pas humbjes 3-0 të derbit me Mançester Sitin të dielën në “Old Trafford”, ndërsa dje i dhanë lamtumirën edhe Kupës së Ligës në raundin e 1/8-ave, pasi u mposhtën nga Njukasëlli.
Mësohet se lojtarët e tij janë të habitur edhe nga disa prej taktikave të tij. Kontrata e Ten Hagut prej 9 milionë paundësh në vit përfundon në verën e vitit 2025. Por e ardhmja e tij në “Teatrin e Ëndrrave” është bërë e pasigurt pas humbjes së pestë të “djajve të kuq” në dhjetë ndeshje të kampionatit. Që nga largimi i Sër Aleks Fergusonit nga “Old Trafford” në vitin 2013, Junajtidi ka shpenzuar 38 milionë paund për shkarkimin e trajnerëve.
Dhe nëse tashmë marrin vendimin fatal, familja Glejzër do të duhet të paguajë rrogën e trajnerit, e cila sipas “Mirror” është rreth 15 milionë paund. Kjo është një shumë rekord për klubin, pasi ish-menaxherët të cilëve iu tregua dera si Dejvis Mojes (7 milionë paund), Luis van Gal (8.4 milionë) dhe Ole Gunar Solskjaer (7.5 milionë), u paguan shumë më pak. Vetëm Zhoze Murinjo (15 milionë) ka përfituar një dëmshpërblim kaq të lartë sa ai i mundshmi për holandezin.
Fati i Ten Hag në klub është bërë edhe më i pasigurt pasi ai kritikoi lojtarët e tij për paraqitjen e tyre të dobët në pjesën e dytë kundër Sitit, por nuk i kurseu as mbrëmë. “Tifozët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer. Përsëri ishim të ekspozuar në tranzicione dhe Njukasëlli na ndëshkoi. Gjërat nuk po shkojnë mirë, por ne duhet të jemi të bashkuar”, pranoi trajneri pas eliminimit nga Kupa e Ligës.