Periudha e fundit ka qenë “ters” për futbollistët e Vllaznisë. Vetëm ditët e fundit janë dëmtuar njëri pas tjetrit disa lojtarë të saj dhe për këtë arsye, në ndeshjet e fundit ata kanë munguar edhe në ndeshjet që ekipi ka zhvilluar.

Kështu ndodhi edhe në sfidën e së shtunës me Veleçikun kur nuk luajtën Lika, Tafili e Marku pikërisht për këtë arsye. Edhe Bardulla siç dihet është prej kohësh i dëmtuar ndërkohë që në këtë takim, nuk kanë patur gjendje të mirë as Hajdari e Gocaj të cilët edhe ata vinin pas dëmtimeve.

Por problemet nuk janë mbyllur këtu. Ndoshta nuk ka rënë shumë në sy por ndaj koplikasve ka patur edhe një tjetër mungesë tek Vllaznia. Bëhet fjalë për atë të portierit Erind Selimaj.

Ky i fundit është dëmtuar në kavilje një ditë para ndeshjes. Ka qenë një ushtrim i zakonshëm i cili për fatin e tij të keq nuk ka përfunduar si duhet sepse është shoqëruar me një shtrembërim të këmbës dhe për rrjedhojë ai e ka ndërprerë në mes seancën.

Në vend të tij në pankinë ka qenë portieri i ekipit B, Eldi Hasani.Pritet që Selimaj të mungojë edhe për 2-3 javë dhe ky është një tjetër problem për stafin teknik.
© shkodrasport.com