Dëmtimet e njëpasnjëshme duket se kanë shkatërruar karrierën e një talenti i cili pritej të ishte ylli i madh i ardhshëm i Barcelonës. Labinot Kabashi, i cili në fillimet e tij krahasohej me Andres Iniestën, tashmë nuk është më pjesë e Barcelonës, pasi klubi katalanas ka prishur marrëveshjen që kishte me lojtarin.
Kabashi, i cili u bë pjesë e “La Masia” që në moshën 10-vjeçare, shihej nga klubi katalanas si një futbollist me të ardhme të sigurt. Lojtari i cili ishte pjesë e grumbullimeve të Kosovës që në moshën 16-vjeçare, nuk ka arritur të bëjë ende hapin e madh dhe tashmë duhet të kërkojë një klub të ri, për shkak të fatit të keq me dëmtimet.
Në vitin 2016 ai pësoi një dëmtim të rëndë në ligamente, që e mbajti një vit e gjysmë jashtë fushave të lojës. E njëjta gjë për fat të keq u përsërit edhe në vitin 2018, sapo u rikthye e po ashtu në vitin 2019.
Barcelona, edhe pse i kishet rinovuar marrëveshjen deri në vitin 2021, duket e kuptoi se fiziku i lojtarit po ia bënte të pamundur aktivizimin në nivelet më të larta.
Si rrjedhojë, sot klubi bëri të ditur se palët ishin ndarë me mirëkuptim, me Kabashin që ishte tashmë lojtar i lirë për të kërkuar një klub të ri për të nisur karrierën si profesionist, me shpresën që kalvari i gjatë i dëmtimeve të mos përsëritet më. /vipsport/