Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e këtij sezoni ka vuajtur shumë nga dëmtimet. Në asnjë moment skuadra nuk ka qenë e plotë dhe ekipi ka pasur mungesa të shumta. Pavarësisht se trajneri Brdariç nuk është ankuar asnjëherë për mungesën e titullarëve. Po të bësh një llogari, kuqeblutë kanë pasur një formacion jashtë gjatë këtij edicioni.
Duke nisur që nga Gruda, i cili ka vuajtur një ndalesë që nga fundi i sezonit të shkuar. Për tu rikthyer para dy javësh me skuadrën. Po ashtu vala e dëmtimeve vijoi edhe në verë me dyshen e mesfushorëve Kahrimanoviç dhe Deliu. Me kroatin i cili është kthyer para 4 ndeshjesh me skuadrën dhe po luan me ritmin e zakonshëm ndërsa për ish-mesfushorin e Tiranës ende nuk ka një datë për kthimin në fushë. Në ndeshjen e parë të sezonit gjithashtu një mungesë ka qenë edhe Ardit Krymi, mesfushori i cili vuajti ndalesën për shkak të një dëmtimi.
Ndalesa kanë pasur edhe mbrojtësit, duke nisur me Bajramin, i cili këtë sezon ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Gjithashtu edhe Spahija që ka debutuar këtë sezon vetëm në ndeshjen kundër Tiranës në javën e 11-të. E ndërsa së fundmi kanë vuajtur ndalesa edhe Juriç e Stojanoviç që munguan kundër Skënderbeut.
Po ashtu edhe sulmi ka shfaqur probleme fizike, me Balajn, Çoben dhe Matouti që kanë munguar disa ndeshje për kuqeblutë. Pra një llogaritje tregon se 11 futbollistë të Vllaznisë kanë pasur probleme fizike këtë edicion. Duke qenë një problem real i skuadrës, me trajnerin Brdariç që asnjë herë nuk e ka pasur grupin e plotë deri në këtë pikë të edicionit./www.shkodrasport.com/