Nga Anglia vjen një rrëfim tronditës, i cili mund të hapë një debat të rëndësishëm në ditët në vazhdim.

Bëhet fjalë mbi një prej dëmtimeve më të frikshme që ka parë historia e futbollit ishullor dhe jo vetëm.

Në vitin 2010, Aron Ramsej, lojtari i Arsenalit, theu totalisht kockën e këmbës së djathtë.

Gjithçka ndodhi pas një përplasjeje loje me një kundërshtar të Stok Sitit, imazhet e frikshme të së cilës bënë xhiron e botës.

Eshtë vetë Dejv Kiston, ish-futbollisti i Stok Sitit, i cili në një rrëfim për “The Sun” ka treguar shkaqet e atij dëmtimi të rëndë.

Sipas tij, faji ishte i urrejtjes që trajneri Toni Pulis provonte për Arsen Vengerin, në atë epokë trajner i Arsenalit.

PRAPASKENA

“Toni Pulis e urrente totalisht trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger, – thotë Kinston.

Gjatë të gjithë javës që paraprinte ndeshjen nuk kishte parë kurrë një trajner aq të dëshpëruar për të fituar me çdo kusht një ndeshje futbolli. Realisht po humbte kontrollin”.

Dhe më pas ndalet tek ajo që ndodhi gjatë ndeshjes.

“Ajo lojë e ashpër që shoqëroi atë takim, në të vërtetë ishte e urdhëruar. Ishte sikur të thoshte: ‘djalë, mos harro, ji agresiv në ndërhyrje, dominoje kundërshtarin tënd me çdo armë.

Dhe ajo që ndodhi në fushë atë ditë ishte reagimi i futbollistëve kundrejt trajnerit të tyre, që kërkonte me çdo kusht të dëmtonim kundërshtarët.

Nuk u ulëm kurrë në dhomat e zhveshjes dhe thamë ‘do t’i bëjmë keq atij lojtari’”.

REAGIMI

Në momentin e dëmtimit të Ramsejt, Kiston kujton.

“U deshën disa sekonda për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Këmba e Ramsejt ishte e drejtuar drejt tifozëve nga njëra anë, ndërsa trupi i tij ishte përballë meje, që isha ulur në pankinë. Kisha një kënd të ngushtë për ta parë çfarë ndodhi.

Ishte thjesht e frikshme. Kujtoj që Vengeri u kthye nga zona e tij e pankinës drejt stolit tonë me një fytyrë të egërsuar.

Personi i parë që pa në sy kur u kthye nga ne isha unë, që qëndroja ulur në pankinë, sepse isha në linjë shikimi me të.

Edhe pse nuk kisha qenë unë që ia theva këmbën, isha në atë pankinë, pjesë e asaj skuadre. Venger me atë shikim më tha shumë gjëra, njësoj sikur të sheh babai kur është i mbushur nga nervozizmi, nga mërzia”.