Vllaznia nuk duket e qetë as para takimit me Tiranën sa u përket lojtarëve që ka në dispozicion. Pas mesfushori,t Herald Marku, i cili mungon prej javësh për shkak të një dëmtimi, dje e ka pësuar në stërvitje edhe mbrojtësi i majtë, Aleksandër Isaevski.
Lojtari maqedonasi është dëmtuar në kaviljen e këmbës së majtë dhe ka lënë stërvitjen para kohe duke çaluar. Tashmë mbetet për t’u përcaktuar shkalla e dëmtimit të tij, por sipas të gjitha gjasave, Isaevski nuk do të jetë kundër Tiranës, pasi ndeshja luhet nesër dhe koha e rikuperimit nuk premton.
“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se një dëmtim i tillë mund edhe të rikuperohet në një kohë rekord, por stafi teknik nuk kërkon të rrezikojë, pasi Isaevski mund të përkeqësonte edhe më tepër këmbën. Deri nesër do të mësohet më tepër nëse maqedonasi do të jetë i gatshëm për këtë sfidë delikate ndaj Tiranës.
Ai mungoi edhe ndaj Skënderbeut për shkak kartonësh, ndërsa këtë herë ishte planifikuar nga trajneri Tomas Brdariç në formacion. Gjithsesi, gjermani e ka gati planin “B”, pasi në krahun e majtë ku pritej të luante Isaevski me skemën 3-5-2, trajneri pritet të përdorë Arsid Krujën.