Nuk ishte ajo që priste Bayerni i Mynihut. Manuel Neuer duhet të ndalet përsëri: portieri dhe kapiteni i ekipit bavarez, kundërshtar i Interit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, rrezikon të mungojë në ndeshjen e parë në ‘Allianz Arena’ kundër zikaltërve (planifikuar për 8 prill). Megjithëse ka optimizëm, ka mundësi që ai të mos jetë në dispozicion për Vincent Kompany.

Sipas asaj që është njoftuar nga klubi gjerman, Neuer ka pësuar “një reagim në muskujt e pulpës”. Portieri u lëndua në ndeshjen e parë 1/8-ave të Ligës së Kampionëve gjatë festimit për një gol të shënuar nga Bayern Munich kundër Leverkusen-it.

Në ditët e fundit, ai kishte kryer stërvitje të personalizuara, ndërsa të mërkurën e kaluar, lojtari 38-vjeçar shkoi më tej me ushtrime me top dhe, sipas parashikimeve fillestare, duhej të ishte rikuperuar në kohë për ndeshjen e parë që do të luante skuadra e Kompany pas pushimit të kombëtareve.

Megjithatë, të premten, së bashku me trajnerin e portierëve, Michael Rechner, dhe fizioterapistin Simon Martinello, Neuer u detyrua të ndalej pas rreth 30 minutash:

“Në ditët në vijim, Manuel nuk do të marrë pjesë në stërvitje”, njoftoi Bayerni. Lajme të këqija për trajnerin e ‘Die Roten’, i cili e gjen veten me Jonas Urbig të lënduar në këmbë dhe për këtë arsye mund t’i duhet të përdorë një portier rezervë midis Daniel Peretz dhe Sven Ulreich.