Dy ditë përpara sfidës së Superkupës së Shqipërisë, Orges Shehi mer lajmin e parë të keq. Bakary Nimaga ka pësuar një dëmtim në përfundim të seancës stërvitore të së enjtes, me mesfushorin nga Mali që pritet të mungojë 2-3 javë te kampionët në fuqi.

24-vjeçari shihej si një titullar i rëndësishëm për trajnerin Orges Shehi, për më tepër që alternativat në pozicionin e mesfushorit shkatërrues mungojnë te korçarët, që duhet t’i besojnë 20-vjeçarit Demte ose të improvizojnë një nga futbollistët më me eksperiencë të organikës në këtë rol.

Për këtë arsye prej kohësh në drejtuesit e Skënderbeut kanë hedhur vështrimin drejt talentit shkodran, Ardit Krymi, mesfushori për të cilin kishin shfaqur interes edhe Tirana e Partizani.

Megjithatë korçarët janë treguar më këmbëngulës, pasi kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Vllaznisë, duke i ofruar disa mundësi për finalizimin e këtij operacioni.

Njëra është të paguajnë vlerën e plotë të kartonit, duke qenë se Krymi ka kontratë edhe për një vit me kuqeblutë, ndërsa varianti i dytë është të paguajnë një pjesë të vlerës, duke i lënë Vllaznisë një përqindje të kartonit, për të përfituar më pas në rast shitjeje.

Në Shkodër presin të zgjedhin stafin teknik për të vendosur më pas për ndërtimin e skuadrës që do të luajë në Kategorinë e Parë.

Për t’u rikthyer te Skënderbeu, interesimi për Krymin konfirmon se strategjia e kampionëve është afrimi i futbollistë të rinj në moshë dhe me perspektivën për t’u shitur më pas në kampionatet elitare. Ardit Krymi plotëson këto parametra, duke qenë se është dhe pjesë e 21-vjeçarëve të Shqipërisë.