Alarm “Manxukiç” në shtëpinë e Juves. Bomberi kroat është ndalur në stërvitjen e fundit për shkak të një tërheqjeje muskulore në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Për momentin nuk është bërë ende e njohur shkalla e dëmtimit, por futbollisti do të humbasë me siguri ndeshjen e ardhshme në Kupën e Italisë me Bolonjën dhe është në dyshim të fortë edhe për finalen e Superkupës italiane të mërkurën.
Gjendja e sulmuesit do të vlerësohet në ditët e ardhshme nga stafi mjekësor i bardhezinjve. Përgatitja e ndeshjes së madhe në Zheda nis me një lajm të keq për Alegrin, i cili pritet të mos ketë shërbimet e Manxukiçit në ndeshjen kundër Milanit.
Një problem për teknikun e “Zonjës”, që në pjesën e parë të sezonit e kishte përdorur shpesh sulmuesin kroat së bashku me Kristiano Ronaldon dhe Dibalën dhe kishte marrë rezultate të shkëlqyera. Në pritje të analizave më të detajuara të dëmtimit, për momentin nuk është përpiluar asnjë plan riaftësimi, por të gjitha të dhënat aktuale të çojnë drejt një pamundësie që Alegri ta rikuperojë lojtarin për të mërkurën e ardhshme dhe duhet të mendojë për një plan B për sulmin.