Lajmi i djeshëm për dënimin e Skënderbeut me 10 vjet jashtë kupave të Europës pritet të shoqërohet edhe me një dënim të mundshëm të klubit korçar nga FSHF-ja, konkretisht me zbritjen e tij në kategoritë më të ulëta.

Kjo në një farë mënyre do të thotë se Vllaznia dhe Teuta, që luftojnë për mbijetesë në Superiore, të kenë një shans më shumë.

Por të paktën në Shkodër këto llogari nuk merren fare në konsideratë. Edhe pas lajmit për dënimin e Skënderbeut nga UEFA situata mbetet e njëjtë te Vllaznia.

Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë me dije për “Vipsport.al” se kurrsesi nuk mund të bëhen llogari hipotetike dhe se asgjë nuk ndryshon në objektivat e Vllaznisë për 10 javët e mbetura të kampionatit.

Kjo ndodh për vetë faktin se asgjë nuk është e sigurt se çfarë ndodh në vazhdim me çështjen e klubit korçar, kështu që Vllaznia duhet të sigurojë mbijetesën.

Ndeshja e radhës është pikërisht me Skënderbeun dhe Vllaznia kërkon me çdo kusht ta fitojë. / Vipsport/