Denis Pjeshka i qëndroi besnik Flamurtarit. Për këtë, klubi e ka graduar sërish kapiten. Mesfushori shkodran do të luajë sezonin e dytë me Paulon, vëllain e tij, si shok skuadre. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, kapiteni Pjeshka rrëfehet në prag të nisjes së kampionatit. 29-vjeçari thotë, se kuqezinjtë janë gati të startojnë garën.

Thekson se çdo kundërshtar duhet vlerësuar maksimalisht. Të shtunën në Vlorë vjen Ditmar Bicaj si kundërshtar, por prej qytetit bregdetar ku ka luajtur për tri vite dhe ku mbylli karrierën si futbollist, nis rrugëtimin e ri si trajner. Pjeshka i uron suksese por pas ndeshjes me Flamurtarin. Një objektiv të jetës e arriti në korrik kur u martua zyrtarisht, por shkodrani kërkon këtë sezon objektivin tjetër madhor, Flamurtarin në Superiore.


Denis është Flamurtari gati për të startuar kampionatin?

Kemi pasur kohë për t’u përgatitur dhe kushtet e nevojshme. Mendoj se jemi gati për ta nisur mbarë sezonin e këtij viti për të realizuar objektivin që kemi. Jemi të angazhuar maksimalisht dhe plotësisht gati.


Në start prisni Burrelin në Vlorë. Si e keni vlerësuar këtë ndeshje?

Flamurtari futet në fushë vetëm për të fituar pavarësisht çdo kundërshtari. Por duhet vlerësuar çdo skuadër në maksimum. Këtë gjë do të bëjmë edhe në ndeshjen me Burrelin.


Bicajn e keni pasur te Flamurtari shok skuadre dhe për një kohë të shkurtër zv/trajner. Ai vjen tani si trajner i Burrelit, por edhe si kundërshtar. Do ta mundni?

Ditmari ka qenë pjesë e jona dhe kemi kontribuar bashkë për këtë ekip. E vlerësoj shumë. Është i ri në rolin e trajnerit, por me shumë perspektivë dhe dëshirë për të punuar. I uroj suksese, por pas ndeshjes me ne (qesh).


Si e vlerësoni merkaton e klubit këtë sezon?

Kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe me emër në kampionatin tonë dhe jo vetëm. Mendoj që do ndihmojnë shumë në arritjen e objektivit për këtë sezon.

Ju është besuar përsëri shiriti i kapitenit, ç’do të thotë kjo për ju?

Siç e kam thënë edhe më parë është nder dhe përgjegjësi e madhe të jesh kapiten i Flamurtarit. Unë do të vijoj të japë maksimumin tim për këtë skuadër sikundër kam bërë deri tani.


Përsëri me vëllain, Paulon, do të jeni shok skuadre. Jeni mësuar tashmë apo jo?

Po, jemi mësuar. Ndonjëherë si kundërshtar, ndonjëherë si shok skuadre. Por e rëndësishme është që tani jemi për të njëjtin qëllim.

Në muajin korrik keni realizuar edhe ceremoninë e martesës…

Po, tashmë jam zyrtarisht i martuar. E arritëm atë objektiv (qesh). Tani sytë nga Superiorja.