Zv.trajneri i Vllaznisë u-17, Denis Zmijani ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin e Star Sport. Ai ka komentuar për humbjen e ekipit të parë kundër Egantias, duke theksuar se la një shije të hidhur. Por Zmijani bën thirrje që skuadra të mos “bombardohet” në këto momente, ku ende ka shansin ta shpëtojë sezonin me anë të kupës.

Zmijani tha: “Vetë rezultati 0-4 ndaj Egnatias nuk lë shumë hapësira për diskutim. Shifrat e tregojnë që nuk ka shkuar thuajse asgjë te kjo ndeshje. Një ndeshje shumë e dobët e Vllaznisë, ku ndoshta ishte më e dobëta që kemi parë prej disa vitesh. Në futboll ndodhin të tilla rezultate dhe nuk janë të panjohura, por ekipi duhet të japë shenja reagimi.

Megjithatë me të vërtetë të gjithë në Shkodër janë të mërzitur, por nuk duhet hedhur që tani në “erë” sezoni. Skuadra ka nevojë për mbështetje sepse ka ngelur trofeu i kupës. Aty mund të jetë edhe shpëtimi i sezonit.

Patjetër pa harruar kampionatin ku këto 5 ndeshje të fundit skuadra duhet ti luajë në maksimum. Por kupa do ishte me të vërtetë speciale sepse do ishin 3 rradhazi, që nuk ka ndodhur në histori.

Vllaznia u-17 ? Mposhtëm Dinamon në mesjavën e shkuar e ndërsa këtë raund kemi Skënderbeun në transfertë. Një ekip me të vërtetë i fortë, por ne udhëtojmë për fitore në Korçë.

Tashmë jemi në krye të tabelës dhe shpresoj ta mbajmë deri në fund për tu kurorëzuar me titullin në fundin e edicionit. Ku dua ta theksoj se ka qenë me të vërtetë një kampionat shumë kompetitv tek moshat këtë sezon”.
Endri ÇINARI