Derbi i humbur me Tiranën në javën e parë të kampionatit la një shije të hidhur te Dinamo City. Të gjithë janë të bindur se rezultati nuk i përgjigjet lojës që blutë zhvilluan në fushë, ku zbritën me një formacion gati të gjithin. Vetëm Prodani dhe Denisson ishin lojtarët e sezonit të shkuar që bënin pjesë në 11-shen e titullarëve të trajnerit Luixhi di Biaxho.

Braziliani, që luan sezonin e tretë me Dinamon, ishte nga më të mirët në fushë, nga lojarët më të rrezikshëm të bluve në derbi. Denison, i cili shënoi golin e dytë me penallti, në një intervistë për “Panorama Sport”, thekson se Dinamo luajti më mirë se Tirana. Ai gjykon se kjo skuadër mund të luftojë për titull, ndërsa pjesëmarrjen në Kupat e Europës nuk e diskuton. Në derbi braziliani luajti si numër 10-të, por edhe një 9-të false.

Denison, si po ndiheni te kjo skuadër krejtësisht e re, ku vetëm ju dhe Prodani ishit në formacion nga ekipi i sezonit të kaluar?

Ndihem shumë mirë. Është vetëm fillimi dhe do të më duhet pak kohë që të përshtatemi me lojën e njëri-tjetrit. Në skuadër kanë ardhur lojtarë të mirë, me kualitet, por që normalisht kërkojnë kohën e nevojshme. Megjithatë, me Tiranën mendoj se luajtëm mirë, edhe pse jemi një skuadër e re.


Ju vjen keq për faktin se dolët pa pikë në një ndeshje ku meritonit të paktën barazimin

Unë mendoj se meritonim më shumë se barazimi në atë ndeshje, meritonim 3 pikët, sepse luajtëm më mirë se Tirana. Shënuam dy gola, ishim dy herë në avantazh dhe patëm edhe raste të tjera për shënim, që nuk arritëm t’i shumë keq, por ky është futbolli, nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse asgjë nuk kthehet pas. Siç e thashë, është vetëm fillimi dhe duhet të shohim përpara.

Shumë polemika për dy penalltitë e dhëna kundër jush në derbi. Ju si mendoni, a ishin vendime të drejta ato të gjyqtarit Xhaja?

Të them të drejtën, nuk kam pasur kohë që të kontrolloj dhe t’i rishikoj ato raste, sepse ndeshja përfundoi vonë dhe dje ishim në stërvitje që paradite. Ajo që mund të them është se në futbollin e sotëm është shumë e lehtë të marrësh vendimin e duhur. Është VAR-i, mund të shikohen pamjet me qetësi dhe të merret vendimi i saktë.


Është ndoshta herët, por ju si mendoni, deri ku mund shkojë kjo skuadër tani, me këtë organizim të ri që ka bërë?

Unë mendoj se Dinamo City është në gjendje të luftojë për diçka të madhe këtë sezon. Mund të luftojmë denjësisht për titullin kampion, ndërsa Kupat e Europës janë minimum që mund të arrijmë këtë sezon. Do të na duhet vetëm pak kohë që të përshtatemi më mirë, sepse kemi shumë lojtarë të rinj, por kam bindjen se do të rritemi ndeshje pas ndeshjeje. Mendimi im është se Dinamo është aty, bashkë me Tiranën, Partizanin, mes skuadrave më të mira të Superiores. Në derbi kemi dhënë sinjalin e parë, edhe pse nuk arritëm të merrnim rezultat pozitiv. Që kur kam ardhur te Dinamo, nuk kam ardhur për gjëra të vogla, por për të arritur diçka të madhe në karrierën time me këtë fanellë. Tani besoj se jemi në rrugën e duhur.


Çfarë komenti keni për sulmin e Dinamos, ku kanë ardhur lojtarë të rinj, si Kaçorri, Vila e Zabërgja?

Po, janë lojtarë shumë të mirë, ashtu si dhe ata që luajnë në reparte të tjera. Më Zabërgjën njihem që kur isha në Kosovë, kemi luajtur disa ndeshje bashkë atje. Edhe Lorenco Vilën e njoh, sepse është një nga lojtarët më të mirë të futbollit shquptar. Po ashtu edhe Kaçorrin. Besoj se në vazhdim do të bëjmë më mirë në sulm dhe të gjihë bashkë si skuadër. E ritheksoj se Dinamo do të rritet, sepse e ka kualitetin dhe në fund të sezonit do të jemi në Europë.