Çfarë kanë të përbashkët Eriksen, Jang, Mozes, Ibrahimoviç, Kjaer, Begoviç dhe Selemekers? Janë blerjet e janarit për Milanin dhe Interin, por njëkohësisht futbollistë me kombësi të ndryshme, ndaj vlen të thuhet se sot në fushë do të jenë dy skuadra me lojtarë nga 22 kombe.
Blerjet e reja i kanë shtuar pak aromë Anglie e Nigerie Interit, teksa derbi do të ketë edhe nuanca daneze për shkak të Kjaerit dhe Eriksenit. Sidoqoftë, ndërqytetësja milaneze do të dominohet nga italianët, që janë 18 në total, por më të shumtë në numër janë në kampin zikaltër.
Përveç “vendësve”, Uruguai dhe Argjentina do të përfaqësohen me nga tre futbollistë në sfidën e sotme, teksa Belgjika do të ketë dy “ambasadorë”, si rrallëherë në historikun e kësaj përballjeje.
Nëse Milani dhe Interi kanë mbledhur kampionët nga e gjithë bota, edhe “San Siro” nuk mbetet pas. Impianti milanez pritet të jetë i stërmbushur sot në 20:45, teksa brenda tij, përveç mbi 70 mijë tifozë, do të ketë edhe 60 regji nga vende të ndryshme të globit.
Praktikisht një derbi global, pasi ndeshja do të ndiqet nga 200 shtete të ndryshme. Azia e veçanërisht Kina vlojnë nga pritja e një dueli, që shënon një numër të lartë të apasionuarish.
Fitimet janë i vetmi aspekt që nuk do të shënojë rekord. 6.620.976 eurot e 6 tetorit, kur në “San Siro” zbarkoi Juventusi, janë një shifër që nuk mund t’i afrohet derbit, pasi 4 muaj më parë në stadium ishin thuajse 76 mijë tifozë.
Për sfidën e mbrëmjes pritet të përfitohen rreth 5 milionë euro (4.931.321), që gjithsesi mbetet një nga vlerat më të larta të përfituara nga ndeshjet derbi për sa i përket qytetit të Milanos.