Këtë fundjavë kalendari i Kategorisë Superiore rezervon derbin e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Kryeqytetasit do të presin në ‘Selman Stërmasi’ shkodranët.
Ata do të kërkojnë të përsërisin suksesin e fazës së parë, ku triumfuan në transfertë me rezultatin 0-2. Për më tepër, bardheblutë duan sa më shpejt të rikthehen te tre pikët pas ndalesës në Durrës, ku barazuan ndaj Teutës.
Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë për trajnerin Julian Ahmataj teksa do t’i duhet t’i bëjë llogaritë e sfidës me mungesat e dy futbollistëve. Kështu, për shkak se u ndëshkuan me karton të kuq, nuk do të jenë të gatshëm mbrojtësi Erion Hoxhallari dhe mesfushori ofensiv, Agustin Torasa.
Sakaq, tekniku i Tiranës, shpreson te rikthimet e të dëmtuarve. Shpresat janë të mëdha që në këtë javë të rikthehen në dispozicion Hasani, Kale por edhe Albi Doka.
Të tre kishin pësuar dëmtime dhe munguan në ndeshjen e fundit, megjithatë duket se për ndeshjen ndaj Vllaznisë, infermieria do të jetë e boshatisur. /VipSport/