Dejvid Siman, portieri legjendar i Anglisë, u rikthehet kujtimeve të duelit më të famshëm mes “Tre Luanëve” dhe Skocisë.
25 vite më parë, ajo ndeshje dramatike në Europianin e 1996 në “Wembley”, i vetmi në një turne mes këtyre skuadrave, u fitua 2-0 nga skuadra e Terri Vënejbëllsit. Por pak çaste përpara se Pol Gaskoin të shënonte golin e dytë, Dejvis Siman i priti një penallti vendimtare Geri MekAllisterit.
“Anglia do të luajë sërish përballë Skocisë në ‘Wembley’ në një ndeshje Europiani. Sa shumë kujtime më riktheu. Momentet më të bukura kanë qenë pikërisht ato në ndeshjen kundër Skocisë”, kujton për “DailyMail” ish-portieri i Arsenalit.
“Ishte një ndeshje e çuditshme. Në pjesën e parë nuk ndodhën shumë gjëra në fushë. Në pjesën e dytë ndodhi gjithçka. Bëra një pritje të mirë kundër Gordon Djurit, pastaj prita penalltinë dhe në fund shoku im (Pol Gaskoin) më vodhi gjithë lavdinë.
Ende rrëqethem kur e kujtoj. Ishte një penallti e çuditshme. MekAllister zgjodhi të godiste me forcë. Më kujtohet që u hodha në të djathtë duke menduar: Nuk pata kohë për të hapur dorën, kështu që ngrita bërrylin dhe e prita ashtu”.
SAUTHGEJT NË FUSHË – Sot trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, luante së bashku me Simanin në atë ndeshje, por të gjithë vëmendjen e mori Pol Gaskoin, me atë që cilësohet goli më i bukur i tij në të gjithë karrierën.
“Gaza ishte shumë i karikuar. Atëherë luante te Rejnxhërsat dhe na tha: ‘Unë nuk rikthehem më në Skoci nëse nuk i mundim këta’. I karikuar edhe prej presionit të mediave, që e masakruan për pjesëmarrjen në festën e çmendur në Hong Kong me alkool pak ditë përpara nisjes së turneut, Gaza festoi pikërisht duke improvizuar ‘karrigen e dentistit’ pas atij goli. Unë isha ende duke festuar pritjen e penalltisë kur Gaza shënoi”, kujton Siman.
DO TË FESTOJ – 57-vjeçari e pa ndeshjen e parë të Anglisë në këtë Europian (fitoren 1-0 kundër Kroacisë me golin e Rahim Sterling, të dielën e shkuar) nga shtëpia. “A mendoja se Garet Sauthgejt kishte një karakter mjaftueshëm të fortë sa për t’u bërë trajner? Jo, por e ka përmirësuar atë në mënyrë perfekte. Tani, ti nuk mendon se ka tjetër njeri që mund ta bëjë më mirë rolin e trajnerit të Anglisë. Ai flet me të vërtetë shumë mirë, flet me ndjenjë”, e analizon ishshokun e skuadrës Siman. Por, vetë Sauthgejtit do t’i ngelet në kujtesë gjithnjë ajo penallti që ai vetë humbi në gjysmëfinalen kundër Gjermanisë në “Wembley”.
Ishte vendimtare, sepse i dha fund ëndrrës së “Tre Luanëve” për të fituar trofeun e tyre të dytë në histori pas Botërorit të 1966-ës. Ai kujtim i hidhur do të venitej disi vetëm me triumfin e “Tre Luanëve” të tij në shtëpi këtë verë. “Unë jam i sigurt se ‘Euro 1996’ do të mbetet një kujtim pozitiv i asaj që mund të ndodhë këtë verë”, thotë Siman, i cili është optimist se këtë herë skuadra e tij mund të shkojë përtej gjysmëfinales. “A mendoj se Anglia mund të shkojë deri në fund këtë Europian? Po e mendoj… Unë dua të jem ende gjallë kur Anglia të fitojë një trofe të rëndësishëm, sepse dua të festoj. Do ta gjej edhe Gazën kur ta bëj. Nuk e di ku do të mund të jetë, por ndoshta edhe ai do të jetë duke festuar”.