5 prill 2009 është hera e fundit që Partizani dhe Dinamo u ndeshën në elitën e futbollit shqiptar, takim i fituar nga blutë 2-1. Askush nuk e kishte menduar që pas vërshëllimës së gjyqtarit Edvin Hoxha në këtë takim të 2009-ës do të kalonin 4561 ditë që të kthehej sërish ky derbi në elitë. Dinamo-Partizani hap siparin e javës së katërt të edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore.

Përballja e 136-të mes dy ekipeve do të jetë e veçantë, ndonëse është derbi i kryeqytetit do të luhet sot në “Elbasan Arena”, në orën 19:45. Ky derbi vjen pas një mungese gati 9-vjeçare, ku për herë të fundit janë ndeshur më 16 mars 2013 në Kategorinë e Parë.

Ky takim është me “spec” për vetë ecurinë e skuadrave në këtë fillim kampionati. Historia ka treguar se derbi lë shenjë te skuadrat e kryeqytetit, kështu që në radhë të parë ekipet mendojnë më shumë që të mos munden. Humbja në derbi mund të lërë pasoja kryesisht te timonierët e skuadrave.

Ndonëse është fillimi i sezonit, fati i trajnerëve varet edhe nga humori i presidentëve në rast humbjeje në derbi. Më shumë djegës ky duel është për “demat e kuq”, të cilët ende nuk e kanë marrë fitoren e parë në kampionat. Ndërsa dinamovitët janë deri diku të kënaqur me ecurinë, por më shumë me lojën, kur dihet se janë një ekip i rikthyer pas një mungese 9-vjeçare në Superiore dhe i krijuar nga e para në merkaton e verës.

Kategoria superiore në këtë javë të katërt hyn në fazën e parë të zierjes, pasi thuajse të gjitha skuadrat kanë shfaqur probleme dhe ka vend për përmirësime. Pjesa dërrmuese e skuadrave e kanë nisur sezonin me frena dore, gjë të cilën e vërteton edhe përqindja e lartë e ndeshjeve të mbyllura në barazim, ku 9 nga 15 ndeshjet e luajtura në këto 270 minuta janë mbyllur nën shenjën “X”. Ndaj, duke filluar nga kjo javë nis të rritet presioni tek ekipet, pasi formohen edhe diferencat e para në tabelë. Skuadrat që vjet ishin pretendente, ende nuk e kanë kapur ritmin.

Thamë që Partizani ende nuk e ka gjetur fitoren e parë, por nuk është i vetëm, pasi edhe Laçi që vjet ishte pretendent kryesor dhe në Europë shkroi historinë në verë, ka një humbje dhe 2 barazime deri tani. Tirana ka shfaqur luhatje të dukshme, pasi nuk ka arritur të dominojë ndaj ekipeve, që në letër konsiderohen për zonën e mbijetesës. Vllaznia nuk është ajo e edicionit të shkuar, që luftonte dhe fitonte në fund, pasi tani nga fitorja lëshon dhe e pëson në fund.

Teuta është “hullinë” e vitit të shkuar. Kukësi është një surprizë e bukur, por që nga kjo javë nis turi i ballafaqimeve “big” për të mësuarit e trajnerit Logo. Pritshmëritë janë të mëdha te pjesa dërrmuese e skuadrave, ku shtatë shikohen si pretendente për titull. Ndaj, kjo mund të quhet edhe java e shkundjes për pjesën dërrmuese të ekipeve, stafeve dhe vetë lojtarëve./panorama-sport.com/