UEFA është duke punuar me kohë të plotë tashmë për të garantuar që Europiani i kësaj vere të luhet me tifozë. Siç dihet, formula e Euro 2020, ishte që të zhvillohej në disa stadiume të Europës dhe të mos përqëndrohej turneu në vetëm një vend.

Kështu, duke ndjekur edhe çështjen e COVID, e cila nuk është e njëjtë nga shteti në shtet, UEFA po kërkon garancitë se cili vend do ta ketë të mundur të garantojë hyrjen e spektatorëve në masën 25-30% të impiantit.

Afati për një përgjigje është data 7 prill, teksa në Itali stadiumi i zgjedhur është Olimpico, ndërsa autoritetet janë në presion për të marrë një vendim pozitiv, pasi në të kundërt, UEFA me dyer të mbyllura nuk do t’i lejonte organizimin e asnjë ndeshjeje.

E gjithë kjo varet edhe nga fushata e vaksinimit në vendet përkatëse, e në këtë aspekt, Italia nuk është nga shembujt më të mirë. Sakaq, ekziston edhe mundësia tjetër, që nëse UEFA nuk merr garanci për pjesëmarrjen e tifozëve deri në datën shtatë prill, atëherë të vendosë për ta zhvilluar të gjithë Europianin në Angli, duke qenë se britanikët janë kampionët sa i përket vaksinimit në Europë. /VipSport/