Një nga boksierët më të mirë të historisë së këtij sporti në vendin tonë dhe sigurisht i Vllaznisë është edhe Dervish Efovija. Ai është një nga emrat e sportistëve për të cilët çdo vit në Shkodër organizohet edhe Memoriali në kujtim të tyre dhe kontributit të tyre në këtë sport. Ai ka lindur në tokën shqiptare në Mal të Zi në vitin 1936 por i detyruar nga bomabrdimet e shumta, ai largohet nga Jugosllavia e atëhershme duke zgjedhur Shqipërinë dhe duke u vendosur në Shkodër. Në sajë të talentit të tij të përsosur në sportin e boksit, ai aktivizohet dhe përfaqëson Vllazninë duke u shpallur për disa vite kampion kombëtar. Më konkretisht ai është shpallur kampion kombëtar në vitet1953, 1954, 1955, 1956. Mbas peripecive të ndryshme që i ndodhin me Sigurimin e Shtetit, ai nga internimi në Llakatund të Vlorës dërgohet me makinë të mbyllur drejtëpërdrejtë në kufirin jugosllav në vitin 1958 sëbashku me babën, nanën dhe motrën. Edhe në Jugosllavi, Dervish Efovija e vazhdoi sportin e boksit madje duke qenë ndër më të mirët edhe atje duke konkurruar madje edhe në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare si në Romë, Vjenë e Berlin. Edhe pse do jetonte atje, gjithnjë mendjen e kishte në Shkodër dhe me të ardhur demokracia, ai nxitoi të kthehej për të takuar shokët dhe miqtë e tij të vjetër si Shyqyri Halilin, Fadil Efovijën, Shpresim Bregun, Nazmi Halilin, Mark Pishkashin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin etj, madje nuk ngurroi që në ato vite të para mbas demokracisë të sillte si dhuratë edhe disa doreza për boksierët e ekipit të sapokrijuar të Vllaznisë. Dervish Efovija është ndarë nga jeta në moshën 61 vjeçare pas një sëmundje të rëndë, pikërisht në janar të vitit 1997. Për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij, drejt Podgoricës patën udhëtuar edhe një grup nga Shkodra i përbërë nga Shyqyri Halili, Zef Gjoni, Liman Kulla etj. Ndonëse ka jetuar pak vite në Shkodër, ai ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme. Si njeri por mbi të gjitha si sportist. Jo më kot, edhe sot e kësaj dite, klubi Vllaznia e ka përfshirë atë në emrat që përkujton çdo vit në Memorialin Ndërkombëtar bashkë me boksierët e tjerë të shquar shkodranë.
Gjergj KOLA