Pasditen e sotme, i pranishëm në stërvitjen e Vllaznisë për disa minuta ka qenë edhe trajneri malazez Dervish Haxhiosmanoviç. Ai ka qenë i shoqëruar nga drejtori sportiv Armir Grima. Të dy sëbashku kanë ndjekur për disa minuta seancën stërvitore të kuqebluve të zhvilluar në fushën sportive të Shtojit dhe më pas janë larguar. Prania e “Dedës” në këtë seancë stërvitore, të lë të kuptosh se ai është shumë pranë pankinës kuqeblu. Emri i tij është përmendur në Shkodër ditët e fundit pas largimit të Canajt megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare. Ai në fakt pëlqehet shumë në Shkodër, për punën e bërë më përpara me Vllazninë me të cilën ka arritur të fitojë titullin kampion në vitin 2001, Kupën e Shqipërisë në vitin 2008 dhe Superkupën në vitin 2001.
Po ashtu sezonin e kaluar ai është shpallur kampion i Shqipërisë edhe me ekipin e femrave të Adës së Velipojës. Pikërisht këto trofe, ndershmëria e tij në punë dhe disa virtyte të tjera të tij, duket se i kanë bërë drejtuesit e Vllaznisë të hyjnë në bisedime me Haxhiosmanoviç. Trajneri nga Vllaznia në fakt gjithnjë ka qenë pranë kësaj skuadre teksa e ka ndjekur në shumë ndeshje që ajo ka zhvilluar në Shkodër apo dhe në Mal të Zi. Ai ka qenë i pranishëm edhe ditën e dielë në “Loro Boriçi” në takimin ndaj Partizanit. Megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare nëse do jetë ai trajner i Vllaznisë apo jo për pjesën e mbetur të sezonit. Të paktën deri në këto momente.
© shkodrasport.com