Dervish Haxhiosmanoviç do jetë trajneri I ri I ekipit të Adës në futbollin e femrave. Kampionia në fuqi e futbollit të femrave më në fund e ka gjetur trajnerin e ri. Pankina e saj, kishte mbetur bosh prej disa ditësh pas dorëheqjes së trajnerit të mëparshëm Fatmir Axhani por ditën e djeshme ajo e ka gjetur zëvendësuesin. Ai është një emër mjaft I njohur për futbollin shkodran dhe atë shqiptar, pikërisht Haxhiosmanoviç, trajneri që me Vllazninë ka fituar tre trofetë e fundit, pikërisht titullin kampion në sezonin 2000- 2001, Superkupën në po atë sezon dhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-08.
Malazezi shumë karizmatik dhe I dashur për sportdashësit shkodranë, ka pranuar ofertën e velipojakëve për ta drejtuar skuadrën e tyre të femrave në përpjekjet për shpalljen e saj kampion për të tretin vit me rradhë. Lajmin për arritjen e akordit me “Dedën”, e ka bërë të ditur për gazetën “Shkodra Sport” vetë presidenti I këtij ekipi Lazër Matija. Sipas tij, arsyeja pse ka zgjedhur këtë trajner, është përvoja e tij e madhe dhe njëkohësisht serioziteti me të cilin ai punon. “Pas shumë mendimesh, vendosa të zgjedhë Dervish Haxhiosmanoviç për të drejtuar ekipin në fazën e dytë. Kuptohet ishte pak e vështirë ta bindja atë por insistova për përvojën e tij të madhe dhe të suksesshme që ka patur tek Vllaznia. Kam patur shumë alternativa për trajner por nuk ishte e lehtë të gjeje pasuesin e Fatmir Axhanit me të cilin skuadra ka fituar dy tituj kampionë dhe një kupë. Prandaj dhe ardhja e një trajneri shumë të suksesshëm me Vllazninë si Haxhiosmanoviç që është mësuar të fitojë trofe, besoj se është zgjedhja e duhur dhe ne do kërkojmë edhe titullin e tretë rradhazi këtë sezon me të në pankinë”. Ada e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit në vendin e parë në renditje teksa ka dy pikë më shumë sesa Juban Danja që mban vendin e dytë. Rivaliteti për titullin kampion pritet të jetë mjaft I fortë mes këtyre dy ekipeve pasi ato pritet të bëjnë të tjera ndërhyrje në merkato duke u përforcuar me lojtare cilësore. Ada dhe Juban Danja pritet të kenë rivalitet të fortë për të fituar edhe Kupën e Shqipërisë, ndeshjet e së cilës fillojnë më 26 janar. Skuadra velipojake synon fitoren edhe të këtij trofeu, aq më tepër që tashmë me marrjen e një trajneri si Dervish Haxhiosmanoviç, pretendimet janë më të mëdha. Prezantimi dhe nisja e punës së këtij trajneri pritet të bëhet ditën e hënë. Zgjedhja e këtij trajneri, ka rritur entuziasmin jo vetëm tek drejtuesit por edhe tek vajzat futbolliste për të vazhduar me sukseset e tyre edhe në këtë sezon. Sa për merkaton, do pritet ditët e ardhshme se çfarë do ndodhë ndërkohë që ndryshime në përbërje priten edhe tek ekipi tjetër pretendent Juban Danja. Në këtë mënyrë me këto investime që po bëhen në futbollin e femrave, duket se cilësia e tij po rritet çdo ditë e më shumë.
Gjergj KOLA