Opinion nga Gjergj KOLA
Mosha ime është e tillë që nuk më ka takuar shumë të jem prezent në ndeshjet e basketbollit të zhvilluara në ish-pallatin e sportit të Shkodrës (sot Katedralja e qytetit). Megjithatë mbrëmë në “Qazim Dervishi” kam përjeturar sërish të njëjtat emocione. Dhe jo vetëm unë. Besoj se të gjithë ata që kanë qenë prezent për ta ndjekur atë nga shkallët e tij apo të tjerët që e kanë ndjekur nga ekrani i televizionit.
Vllaznia na dhuroi spektakël të vërtetë në ndeshjen ndaj klubit Tirana. Lojë e mrekullueshme, trepikësha pa fund dhe rezultati përfundimtar 108-66 që tregon më së miri se çka ndodhi në këtë ndeshje. Të mos harrojmë se kundërshtari i Vllaznisë nuk ishte një skuadër dosido por ajo e vendit të dytë në renditje. Bardheblutë duke patur në gjirin e tyre edhe dy sportistë shkodranë Sukajn e Arrën, janë ndjerë keq mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Shumë më tepër keq do të jenë ndjerë këta dy shkodranë që luajnë për këtë skuadër sepse me shumë siguri, për miliona e miliona lekë do të kishin dashur që atë mbrëmje të ishin në skuadrën e kundërt. Por tek Vllaznia kanë ardhur dy malazezë, një serb e një maqedonas që “i kanë ndërruar fytyrën” asaj. Bashkë edhe me disa shkodranë që janë pjesë e skuadrës, ata na kanë bërë të ëndërrojmë. Për ta bërë këtë ndryshim rrënjësor, është dashur shumë pak gjë. Një biznesmen si Sokol Dibra për të mundësuar ardhjen e këtyre të huajve dhe basketbolli i Vllaznisë është tjetërsuar. Kam parë mbrëmjen e së shtunës në atë tribunë të impresionuar të pallatit të sportit edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës dhe drejtues të tjerë të pushtetit lokal. Ky është lajm i mirë në fakt. Nuk dihet pse kishte ardhur, “për hatër” të shefit të ri të klubit Mark Kroqi apo si ish-basketbollist! Në fakt e kemi parë të gëzohet shumë. Me të drejtë sepse të gjithë që ishim prezent u entuziasmuam nga ajo lojë e bukur dhe ajo fitore spektakolare. Por në fakt, kryetari i Bashkisë duhet të jetë më pranë sportit edhe në momente të tjera. Duhet të jetë më shpesh në pallat të sportit për t’i pyetur punëtorët e tij edhe për nevojat që ka ky impiant sportiv që në fakt ka shumë mangësi. Për fat ndeshja e së shtunës shkoi deri në fund pa u ndërprerë sepse pallati i sportit të Shkodrës ka një problem shumë të madh, atë të aspirimit. Në minutat e fundit të ndeshjes, sportistët e të dy ekipeve filluan të rrëshqasin e të rrëzohen në fushë. Nëse do kishte ndodhur pak më herët kjo, ndeshja edhe mund të ndërpritej. Sepse ky është një nga problemet e mëdha të këtij pallati. Gjatë gjithë ndeshjes, kam ndjekur me vëmendje të madhe shqetësimin e përgjegjësit të tij që i lutej Zotit të frynte pak erë për të tharë ambjentin e lagësht. Kryetari i Bashkisë duhet ta dijë këtë gjë dhe duhet të bëjë diçka për ta rregulluar këtë problem. Ashtu siç duhet menduar për parketin që ka filluar të çahet. Pikërisht për këto, kryetari i Bashkisë duhet të jetë më shpesh në pallat të sportit. Për të mbështetur ekipet e Vllaznisë por edhe për të parë se çfarë mund të përmirësojë. Unë personalisht jam kënaqur me lojën dhe gjithçka ndodhi të shtunën në këtë ndeshje. Emocionet që kam përjetuar atë ndeshje, kisha kohë që nuk i përjetova. Basketbollistët e Vllaznisë më dukeshin si të NBA-së e prandaj kam shumë tek ky ekip se sivjet do të na rikthejë sërish titullin kampion. Pak investim dhe përveç basketbollit, edhe volejbolli mund të na dhurojë të tilla emocione. Pak investime dhe pallati i sportit “Qazim Dervishi” do t’u dhurojë kënaqësi të mëdha shkodranëve që nuk do kenë nevojë të rrinë shumë nëpër kafene por të shijojnë ndeshje të tilla. Ndjenja e fitores dhe e spektaklit që përjetova mbrëmë, më kanë shtuar dëshirën për të qenë në çdo ndeshje në këtë impiant sportiv. Të shpresojmë që të njëjtën dëshirë, ta kenë edhe të tjerët.