Liria e Prizrenit është një nga skuadrat më aktive në javët e fundit të merkatos. Ekipi kosovar, që u rrëzua nga Superliga, do që menjëherë të ringjitet në elitë. Dhe për këtë arsye po afron lojtarë të njohur dhe me eksperiencë. Këtu duke marrë edhe futbollistë nga kampionati shqiptar.

Para pak ditësh u zyrtarizua si afrim i prizrenasve, Mateo Qarri. Ish-mbrojtësi i Bylis dhe Flamurtarit në vendin tonë. Por bardhezinjtë kanë zyrtarizuar edhe dy futbollistë të tjerë nga kampionati shqiptar. Fjala është madje për dy ish-sulmues që kanë luajtur më parë edhe me Vllazninë. Duke nisur nga Silvio Zogaj, i cili pas disa eksperiencave në Superligë do provojë tashmë të luajë në Kosovë.

Sulmuesi i dytë është Jasmin Rraboshta, i cili edicionin e shkuar e mbylli në rradhët e Vorës. Shkodrani është me patjetër një vlerë e shtuar e skuadrës së Lirisë. Kjo duke parë edhe formën e tij të shkëlqyer në sezonin e shkuar. Ku 34-vjeçari shënoi 16 herë me fanellën e Vorës. Duke qenë kështu golashënuesi i tretë më i mirë i sezonit në Kategorinë e Parë.

Patjetër këto lëvizje kanë entuziasmuar tifozët prizrenas. Që janë ndër më të zjarrtët në Kosovë dhe që duan sa më shpejt ngjitjen e skuadrës së tyre në Superligë. Ku në vitet e shkuara, Liria ka qenë një ndër ekipet protagoniste. Dhe pavarësisht problemve të sezoneve të fundit, skuadra mbetet një ndër më të respektuarat në vend.
Endri ÇINARI