Elseid Hysaj dhe Chelsea. Një dashuri që ende nuk po kurorëzohet, edhe pse Napoli ka ulur pretendimet ekonomike deri në 35 mln euro. Maurizio Sarri pret që të afrojë mbrojtësin me të cilin ka “jetuar” te Empoli dhe Napoli, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Ndërkohë, një tjetër shqiptar mund t’iu bashkohet bluve. Bëhet fjalë për Arbër Zenelin, futbollistin e talentuar të kombëtares së Kosovës dhe që luan me Heerenveenin në Holandë. Zeneli është 23 vjeç dhe këtë sezon ka shënuar 3 gola në kampionat dhe 1 në kupë, ndërsa është njeriu “asist” me dhjetë pasime që kanë sjellë golin për shokët e ekipit.

Zeneli ishte vendimtar edhe në Ligën e Kombeve me Kosovën (gjashtë gola të realizuar me Dardanët). Pikërisht tripleta ndaj Azerbajxhanit bëri që kualifikonte në play-off kombëtaren e Challandes, ndërsa mori topin në shtëpi.

Sipas medieve holandeze dhe më saktësisht “sportnieuës.nl”, për Zenelin interesohet ekipi i Chelsea. Maurizio Sarri e pëlqen shumë shqiptarin dhe “blutë e Londrës” janë gati të paguajnë 5 milionë sterlina për të siguruar shërbimet e tij.

Chelsea nuk është i vetmi klub i interesuar, pasi e kërkojnë edhe disa skuadra të tjera, nga Gjermania në Francë e Spanjë./telesport/