Opinion nga Redan BUSHATI
Edhe në sezonin futbollistik 2012-2013, i cili do të startojë me 25 gusht, ashtu si në sezonet e mëparshme, ëndrra për t’u kurorëzuar kampione e Shqipërisë duket e largët për skuadrën shkodrane.
Për rreth dy muaj a më shumë, media e “nxitur” nga drejtuesit e klubit “Vllaznia” lakojnë emra lojtarësh kualitativ, por që “çuditërisht” sapo janë pranë nënshkrimit me ekipin shkodran, firmosin për Tiranën a ndonjë tjetër! Kësisoj, situata e krijuar te Vllaznia mund të perifrazohet me shprehjen “shumë zhurmë për asgjë”.
Qyteti i Shkodrës, djepi i artit dhe i kulturës shqiptare, ka plot 11 vite që nuk gëzon trofeun më të rëndësishëm në vend, e gjasat janë që edhe këtë vit të mbetet me gisht në gojë si një fëmijë latant, i cili kërkon ushqimin e tij, trofe futbolli, por s’ja japin dot se s’mund t’i përballojë dhe për më tepër që ne shkodranët e kemi një shprehje mjaft kuptimplote “moti i mirë shifet nade”. E për kuqeblutë tanë moti duket i zymtë.
Sado të përpiqemi të kaplohemi nga « ethet » e kënaqësisë se në gjirin e ekipit kemi një timonier me vlera profesionale, pa një skuadër e cila nuk ka kualitete t’i përgjigjet skemave të trajnerit apo të përballojë sfidat e kampionatit, kryesisht në përballjet me Skënderbeun, Tiranën, Teutën apo Flamurtarin, i largët është suksesi, i largët është trofeu. Vula e dështimit rëndon dukshëm mbi kuqeblutë tanë.
Në fund, gjithsesi s’duhet humbur shpresat, pasi koha e mbetur, edhe pse e paktë, mund të sjell reflektime serioze te drejtuesit e klubit, në mënyrë që të kuptojnë përgjegjësinë që kanë ndaj fanellës së Vllaznisë dhe qytetarëve të Shkodrës.