Marrëveshja e dështuar për transferimin e dyfishtë Spinacola-Politano me Interin, i ka hapur rrugë përsëri një transferimi të mundshëm të Xherdan Shaqirit në radhët e skuadrës së Romës.
Mesfushori ofensiv i Liverpulit është kthyer në objektin kryesor të dëshirave të verdhekuqve, të cilët duan një element të aftë për të zëvendësuar sa më denjësisht Zaniolon e dëmtuar në pjesën e dytë të sezonit.
Emri i Shaqirit kishte qarkulluar në klubin e Romës edhe në ditët e kaluara, por marrëveshja e mundshme për transferimin e Politanos, prodhim “i gatshëm” i futbollit italian, kishte bërë që e gjithë vëmendja të kalonte te ai.
Me dështimin e akordit, tani Shaqiri bëhet përsëri opsioni i parë i klubit italian që dëshiron ta kthejë në Serinë A pas eksperiencës jo edhe aq mbresëlënëse me Interin.
Sipas “Sky Sport”, janë zhvilluar edhe bisedimet e para mes palëve, me Romën e gatshme që të marrë futbollistin në huazim me të drejtë blerje në fund të këtij edicioni. Mbetet të mësohet se çfarë përgjigje do të japë Liverpuli, por edhe vetë lojtari i cili aktualisht nuk ka shumë hapësira në radhët e anglezëve. /vipsport/