Ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar më datë 30 nëntor mbledhja e Komisionit të Apelit pranë UEFA-s në Zyrih të Zvicrës por asnjë pjestar I klubit të futbollit Vllaznia nuk ka marrë pjesë në të ndonëse vetë klubi kishte apeluar gjobën e vënë nga ky institucion për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e Europa League me zvicerianët e Thunit në “Loro Boriçi”. Gjoba prej 22 mijë eurosh, “tronditi” drejtuesit e klubit të cilët menduan se mund ta ulnin vlerën e saj nëse do ta apelonin. Për këtë arsye, ata bënë edhe pagesën prej 1 mijë eurosh që duhet për të pranuar apelimin por çuditërisht, në mbledhjen e fundit të Komisionit të Apelit pranë UEFA-s, nuk është paraqitur asnjë përfaqësues I klubit shkodran. Mund të duket një vendim I çuditshëm ky I tëri sepse vetë vendosën ta apelojnë çështjen dhe vetë u tërhoqën duke humbur kështu edhe 1 mijë eurot e apelimit. Nga institucioni I futbollit europian ditë më parë erdhi edhe faksi që lajmëronte për mbledhjen e datës 30 nëntor dhe ku në të thuhej se duhej të ishte I pranishëm një përfaqësues I klubit për të mbrojtur dhe argumentuar apelimin. Ky faks ka mbërritur në emrin e Apollon Haxhit, ish-avokatit të klubit shkodran në kohën e presidentit Fushaj por I ka shkuar në dorë drejtuesve të Bashkisë që administrojnë aktualisht klubin e futbollit Vllaznia. Por dështimi me çështjen e gjobës së UEFA-së duket se do të pasohet nga një tjetër dështim nga ana e klubit shkodran. Pikërisht për çështjen “Lici”. Lojtari e ka fituar çështjen në Dhomën e Zgjidhjes së Konfliketeve pranë FSHF-së por klubi shkodran e ka dërguar atë në Lozanë tek Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. Edhe për atë çështje janë paguar  1 mijë euro por drejtuesit e Vllaznisë duke e parë që ka jo pak probleme përfaqësimi dhe mbrojtja e kësaj çështje, me shumë mundësi do tërhiqen edhe nga ky apelim. Çka do të thotë se do pranojnë verdiktin për dhënin e 31 milionë lekëve Licit. Shto këtu edhe 1 mijë eurot e apelimit të kësaj çështje, 1 mijë eurot e apelimit të gjobës për ndeshjen e Thunit, 22 mijë eurot e gjobës së asaj ndeshje, 3 milionë lekët e vjetra të gjobës për ndeshjen me Bylisin për futjen e tifozit në fushë dhe 3 milionë lekët e gjobës së fundit për hedhjen e tymueseve në ndeshjen e fundit me Skënderbeun, bëhen pak si shumë. Klubit të futbollit Vllaznia, tashmë I shndërruar në shoqëri aksionere, I duhet të paguajë vetëm për gjoba nga muaji korrik e deri tani një shumë të madhe prej gati 70 milionë lekësh të vjetra. Ose, gati një e dhjeta e buxhetit të gjithë sezonit të Vllaznisë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume vjen si pasojë e sjelljeve jo të mira të tifozëve (në fakt në gjithë botën e futbollit ka fishekzjarre e tymuese dhe vetëm në Shqipëri nuk lejohen) dhe pjesa tjetër, fare mirë mund të thuhet se ka ardhur nga paaftësia e juristëve të Bashkisë për të mbrojtur çështjet që kanë shkuar në gjykatat sportive. Mbase fakti që janë lekë të dala nga arka e Bashkisë, nuk I ka bërë shumë të vetëdijshëm këta drejtues e juristë për të ngulur këmbë tek e drejta e tyre dhe prandaj Vllaznia kësisoj duhet të paguajë rreth 70 milionë lekë të  vjetra vetëm gjoba.