Me 4 lojtarë me origjinë shqiptare në fushën e lojës, Zvicra arriti të ndalë Brazilin në ndeshjen e parë të tyre në grup, në një barazim 1-1.

Edhe pse brazilianët shënuan të parët me anë të Coutinho, Zvicra barazoi shifrat në pjesën e dytë me Zuber.

Ndeshja nisi me një Brazil më kërkues, përpjekjet e të cilin u shpërblyen në minutën e 20 kur Coutinho shënoi një gol spektakolar me një goditje perfekte nga jashtë zonës.

Por Zvicra nuk u tremb aspak pas këtij goli, duke tentuar me anë të Shaqirit dhe Dzemait të rrezikonte në portën e Brazilit, megjithatë pa gjetur golin e barazimit në pjesën e parë.

Megjithatë, me të nisur pjesa e dytë zviceranët arrijnë të gjejnë golin e barazimit me anë të Zuber, i cili shënoi me kokë pas një goditje nga këndi.

Në minutat në vijim, Brazili bëri të gjitha përpjekjet për të gjetur golin e avantazhit, por Coutinho e Neymar nuk u treguan të saktë në rastet që patën përa portës së Zvicrës.

Ndeshjen e ardhshme, Brazili do të ndeshet me Kosta Rikën, ndërsa Zvicra do luajë kundër Serbisë, e cila udhëheq grupin pas fitores minimale ndaj Kosta Rikës.